Futboll

Për herë të parë në histori, një femër mes arbitrave të një ndeshje meshkujsh në Iran!

Gazeta Si - Për herë të parë në Iran një femër ishte pjesë e ekipit të arbitrave për një ndeshje futbolli për meshkuj. Mahsa Ghorbani, 34 vjeçe, ishte ndihmëse e arbitrit te VAR-it në derbin e Teheranit.

Ndeshja mes dy skuadrave më të mira të kampionatit u zhvillua në stadiumin “Azadi”, një nga më të mëdhenjtë në botë. Sipas agjencisë së lajmeve “Mehr”, gratë u lejuan gjithashtu mes spektatorëve, një gjë e rrallë në vendin ultra-konservator aziatik.

"Gratë iraniane kanë treguar se mund të mbrojnë të drejtat e tyre, pavarësisht menaxhimit patriarkal të futbollit", - tha Ebrahim Afshar, një nga gazetarët më të njohur sportivë të vendit.

Gjatë tre viteve të fundit ndalimi është lehtësuar pak për shkak të presionit nga FIFA. Prej disa kohësh, një numri të kufizuar femrash i është lejuar aksesi në tribuna të veçanta në ndeshjet ndërkombëtare dhe në disa ndeshje të Ligës së Kampionëve të Azisë.

Në dhjetor të vitit të kaluar, për herë të parë në më shumë se 40 vjet, një numër i vogël i grave iraniane u lejuan të hynin në stadiumin “Azadi” për derbin e qytetit.

Historia e Sanam Shirvanit
Një gjyqtare iraniane jeton në Itali. Sanam Shirvanit iu desh të hiqte dorë nga realizimi i ëndrrës së saj për t'u bërë futbolliste, por pasi mbërriti në Itali për arsye studimi në vitin 2013, sërish arriti t’i kthehej pasionit të saj. Ajo tani është e regjistruar në seksionin Aia të Torinos.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë