Njerez

Për herë të parë në Europë, një linjë ajrore do të ofrojë zona ‘vetëm për të rritur’

Një kompani ajrore në Turqi do të ofrojë zona ‘vetëm për të rritur’ për këdo që nuk duron dot të qarat e një fëmije në avion.

Corendon është kompania e parë europiane që ofron këtë shërbim, duke ndjekur shembullin e disa kompanive ndërkombëtare si AirAsia.

Kompania sapo ka njoftuar se po prezanton zona pa fëmijë në një nga linjat e saj.

Zona e ashtuquajtur ‘Only Adult’ do të jetë e aksesueshme për pasagjerët mbi moshën 16 vjeç dhe si fillim do të funksionojë në fluturimet midis Amsterdamit dhe ishullit Curaçao në Karaibe.

Kompania do të fillojë të ofrojë shërbimin këtë nëntor.

Zona pa fëmijë do të vendoset në pjesën e përparme të avionit dhe do të ketë 93 vende të rezervuara për pasagjerët mbi 16 vjeç.

Zona do të ndahet nga pjesa tjetër e avionit me mure dhe perde. Për të blerë një vend në zonën e ‘Vetëm të rritur’, pasagjerët do të duhet të paguajnë 45€ shtesë.

Themeluesi i Corendon, Atilay Uslu tha se zona pa fëmijë synon "të akomodojë pasagjerët që kërkojnë paqe gjatë fluturimit të tyre" dhe do të sigurojë që prindërit të jenë më pak të shqetësuar për bezdisjen që mund t’u shkaktojë pasagjerëve të tjerë.

“Prindërit mund të udhëtojnë pa u shqetësuar nëse fëmijët e tyre bëjnë zhurmë”, tha ai.

Cilat linja ajrore të tjera kanë zona pa fëmijë?

Corendon është linja ajrore e parë në Europë që ofron zona vetëm për të rriturit, por disa kompani ndërkombëtare tashmë e kanë këtë shërbim.

AirAsia X ka një ‘Zonë të Qetë’ në fluturimet A330 në distanca të gjata, e cila është e rezervuar për pasagjerët e moshës 12 vjeç e lart.

Scoot, një kompani me kosto të ulët në Singapor, ka kabina ‘ScootinSilence’ në fluturimet e saj. Këto janë gjithashtu të aksesueshme vetëm për udhëtarët mbi 12 vjeç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë