Ka ndodhur

Për 12 orë, 120 gjoba për parkim të gabuar te “Myslym Shyri”

Policia Rrugore e Tiranës ka nisur një plan masash për “pastrimin” e rrugëve të kryeqytetit nga makinat e parkuara gabim.

Policia thotë se për 12 orë janë ndëshkuar 120 automjete të parkuara gabim tek “Myslym Shyri”.

“Rrugoret e kryeqytetit, monitorim të dedikuar përgjatë 12 orëve, ndëshkojnë 120 automjete të pushuara në kundërshtim me dispozitat e Kodit Rrugor, në rrugën ‘Myslym Shyri’, e cila shërben si një arterie kryesore për lidhjen e unazës së mesme me unazën e vogël dhe qendrën e kryeqytetit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia thotë se duke qenë se rruga “Myslym Shyri” njihet si një nga rrugët më të rëndësishme për njësitë tregtare në kryeqytet, mbetet shqetësim i përditshëm parkimi i mjeteve në korsinë e lëvizjes, duke krijuar pengesa serioze në qarkullimin e mjeteve dhe duke u bërë rrezik për aksidente rrugore, për shkak të manovrave që përdoruesit e rrugës kryejnë nga njëra korsi në tjetrën.

Ndër të tjera, policia thotë se Rrugorët e kryeqytetit do vijojnë patrullimet policore në funksion të planit të veprimit, me qëllim që përdoruesit e rrugës të kuptojnë dhe respektojnë detyrimet ligjore, kur përdorin rrugën si zonë për përdorim publik, e destinuar për qarkullimin e këmbësorëve, mjeteve dhe kafshëve, sipas sinjalizimit rrugor të vendosur nga enti pronar i rrugës.

https://www.facebook.com/policiashtetitshqiptar/posts/2894642474155438

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë