Treg

Për 10 muaj erdhën 8.9 milionë turistë. Tetori kishte rritje me 89.4%

Nga Gazeta ‘Si’ - Edhe në muajt e vjeshtës, turizmi ka vijuar të ruajë tendencën e rritjes.

Sipas të dhënave të INSTAT, numri i turistëve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri ishte 691 mijë, duke u rritur me 89.4% më shumë krahasuar me vitin e shkuar.

Aktualisht, për 10 muajt e vitit, Shqipëria është vizituar nga 8.9 milionë turistë, 32.3% më shumë se e njëjta periudhë e 2022-shit.

Numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar për tetorin është 564 mijë, me rritje 45.2% ndërsa hyrjet e shtetasve shqiptarë bashkë me të huajt janë 1.256.554.

Për tetorin, rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të turistëve është Europa me 660.057 shtetas e ndjekur nga Amerika dhe Azia Lindore/Paqësori, përkatësisht me 16.495 dhe 8.355 shtetas.

Hyrjet për pushime dhe vizita tek të afërm shënojnë arsyet me të larta të udhëtimeve, me një rritje prej 93.4%. Ndërsa për udhëtimet e biznesit dhe qëllimeve personale kishte një rënie prej 10.3% se i njëjti muaj i vitit të shkuar.

Daljet e shtetasve

Shtetasit shqiptarë që kanë dalë jashtë territorit kanë qenë në rritje të ndjeshme. Përkatësisht në tetor janë larguar nga Shqipëria 557 mijë shqiptarë, me rritje prej 41.7%.

Për 10-mujorin, kanë dalë 5.748.99 shqiptarë duke u rritur me 20.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë tetorit janë 644.745, në rritje me 81.1%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë