Futboll

Pengu i Rumeniges: Sa herë Bajerni kërkonte trajner, Klop ishte i zënë

Të fitosh 8 tituj radhazi dhe përsëri të kesh pengje… Bajerni i Mynihut ka pasur në stol trajnerë të mëdhenj, por drejtuesit e tij nuk e fshehin faktin se kanë dashur të shohin në “Allianz Arena” edhe Jurgen Klop, trajnerin aktual të Liverpulit. E pranon për “Bild” administratori i klubit, Karl-Hajnc Rumenige, duke shpjeguar se akordi me trajnerin gjerman nuk është bërë i mundur për shkak të kohës kur kanë ndodhur ndryshimet në stol.

Rumenige dhe Klop njihen shumë mirë, sepse janë shokë… plazhi. “Jurgeni dhe unë jemi takuar shpesh në Buhne, në Sylt. Kujtoj mirë verën e 2012-ës, e mbyllëm kampionatin të dytët dhe humbëm si finalen e Ligës së Kampionëve, ashtu edhe atë të Kupës së Gjermanisë, këtë të fundit me rezultatin 2-5 ndaj Borusias së Dortmundit. Ai po vraponte në plazh dhe mendova: “Oh Zot”. Bëri edhe një devijim që të vinte të më përshëndeste. Nuk e dija, nëse donte të tallej me mua, apo kishte diçka tjetër në mendje. Në fakt, ai më shtrëngoi dorën dhe u tregua shumë i sjellshëm me mua dhe familjen. Kishte edhe qenin me vete, që filloi të luante me qenin tim. U ndjeva mirë me mënyrën si ai e menaxhoi atë moment”, - tregon drejtuesi i Bajernit.

Karl Hajnc Rumenige, administratori i Bajernit. Gazeta Si, 1 korrik 2020

Ndoshta ishte momenti i duhur për të provuar për ta çuar te Bajerni, por në atë moment trajneri i Liverpulit nuk ishte i lirë. “Sa herë kemi kërkuar trajner, Klop ka qenë nën kontratë. Megjithatë, vitet e fundit kemi qenë me fat me trajnerët: Heinkes, van Gal dhe tani Flik. Nëse kërkon një trajner, duhet të gjesh kohën e duhur. E kam ditur gjithmonë se Jurgen ishte një nga 3-4 trajnerët më të mirë në Europë. U gëzova sezonin e shkuar, kur fitoi Ligën e Kampionëve dhe tani jam i lumtur që arriti suksesin në Premier Ligë.

Kujtoj që sezonin e shkuar kemi ngrënë drekë para ndeshjes së 1/8-ve në Ligën e Kampionëve në Liverpul. Administratori i Liverpulit, Peter Mur, më tha se fitimi i titullit në Premier Ligë për ta ishte më i rëndësishëm se Liga e Kampionëve, pasi ishte diçka që pritej prej 30 vitehs. E pabesueshme vetëm ta thuash. Edhe për këtë është e drejtë që futbolli të rifillonte pas Koronavirusit. Klop është një trajner i amdh dhe një person shumë i respektuar. Nuk mburret asnjëherë dhe nuk përzihet me punët e të tjerëve”, - përfundon Rumenige.

Burimi: Gazzetta dello Sport/ Përktheu: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë