Futboll

Pengu i madh i Pep Guardiolës! Kol Palmer fantastik me Çelsin, numra si të Salah

Gazeta Si - Ka lindur në Mançester, po arrin suksesin në Londër. Gushtin e kaluar Çelsi shpenzoi shumë për të dhe tani Kol Palmer po e justifikon investimin.

Te një Çelsi që noton në ujëra të turbullta, mes revolucionit të kaluar dhe atij të së ardhmes, është dikush që ka marrë në duar skuadrën. Kol Palmer, 21 vjeç, në fushë duket më veterani. I pagabueshëm nga pika e bardhë, përcaktues dhe i ftohtë përpara portës: si ai po bëjnë pak në Premier Ligë. Më saktë vetëm një, Erling Haland, në kuotën e 18 golave.

Menjëherë pas norvegjezit është pikërisht ai, me 16 gola, si Salah, Solanke dhe Uatkinks. Pikërisht te Siti i Haland u rrit lojtari i vitlindjes 2002, para se të shitej në verë për 47 milionë euro. Një shifër e pranueshme, por vështirë se do ta fshijë pengun e Pep Guardiolës.

Palmer, që në gusht vuri firmën e tij në Superkupën e Europës të fituar nga “qytetarët” me penallti ndaj Seviljes, la qytetin e lindjes pa u menduar dy herë dhe fluturoi në Londër. Një projekt i ri me Poçetinon, që e vendosi menjëherë në qendër të skuadrës. Palmer ishte gati: 12 asiste dhe 21 gola në të gjitha kompeticionet. Tre të fundit mbrëmjen e së enjtes kundër Mançester Junajtid, në atë fitore drithëruese.

Trajneri i Anglisë, Southgejt, e ka grumbulluar në kombëtaren, por ende nuk ka debutuar. Tani shpreson shumë të jetë në listën e Euro 2024, pasi po bën mirë si protagonist.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë