Lajme

Fshihet trupi i Jak Prengës, pengmarrja për pazare droge

Pengmarrja e 49-vjeçarit Jak Prenga dhe më pas vrasja dhe zhdukja e trupit të tij duket se ka në mes pazare droge.

Policia në një deklaratë zyrtare tha se rrëmbimi i tij, i ndodhur prej rreth dy javësh në Kamëz ka ardhur si pasojë e një konflikti që një nga vëllezërit e viktimës ka pasur me organizatorët dhe rrëmbyesit, si pasojë e disa konflikteve kriminale në Angli.

Mësohet se vëllai i Jak Prengës, që jeton në Angli, është kontaktuar nga një grup i fuqishëm që me kamionin e tij të nxjerrë nga Mbretëria e Bashkuar rreth 300 kg kokainë, që mbërrinte nga Amerika Latine.

Nga përgjimet rezulton se ai e ka marrë lëndën narkotike, por nuk e ka dorëzuar në destinacion.

Për pasojë, mendohet se grupi kriminal ka urdhëruar marrjen peng të vëllait të tij, Jak Prenga, për t’u hakmarrë, i cili për shkak të torturave të shumta, ka gjetur vdekjen.

Në marrjen peng të 49-vjeçarit janë përfshirë 4 persona, të cilët policia i ka identifikuar dhe i ka vënë në pranga.

Pas kontrolleve të ushtruara në disa subjekte private, hotele dhe tri banesa private në fshatin Pjezë, Shijak, Durrës, policia ka vënë në pranga shtetasit: Leonard Hajri, Olsi Turja, Elton Hajri, Bajram Hajri, të gjithë banues në Shijak, ku njëri prej tyre rezultonte i dënuar më parë.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve u gjetën dhe u sekuestruan 2 armë zjarri pistoleta, një sasi municioni, 16 aparate celular, 4 automjete dhe një shumë eurosh.

Siç njoftoi policia, të 4 shtetasit pas rrëmbimit të Jak Prengës, kanë shkuar direkt në resortin në pronësi të shtetasit A. H.

Nga veprimet hetimore rezulton se 49-vjeçari si pasojë e goditjeve të marra në Kamzë dhe humbjes së gjakut, ka ndërruar jetë gjatë rrugës për ta transportuar për në resort, aty ku do mbahej peng. Personat janë kujdesur për ta fshehur trupin e tij, ndërkohë që policia vijon kërkimet në zonën e Shijakut, për gjetjen e trupit.

Automjeti me të cilin e kanë rrëmbyer autorët mendohet se e kanë djegur. Po ashtu dyshohet se mjeti i përkiste një këngëtareje.

Kokaina ishte porositur nga anëtarët e organizatës kriminale, prandaj edhe ata u hakmorën, por situata duket se u doli nga kontrolli.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë