Futboll

Penalltitë në modë, Partizani dhe Egnatia e nisin me fitore nga pika e bardhë 2024-ën

Gazeta Si – Viti 2024 nis nën shenjën e penalltive në Suepriore. Të tria ndeshjet e luajtura deri tani nga java e 19-të e kampionatit janë vendosur nga pika e bardhë. Pas Tiranës të premten, që shënoi golin e fitores me penallti në derbi, të njëjtën gjë kanë bërë sot edhe Egnatia e Partizani.

Egnatia kryesuese mundi 1-0 Skënderbeun, ndaj të cilit hasi jo pak vështirësi. Braziliani Fernando realizoi golin e vetëm në pjesën e dytë, duke gjuajtur saktë nga pika e bardhë.

Të njëjtën gjë bëri edhe sulmuesi i Partizanit, Tedi Cara, në ndeshjen ndaj Teutës. Sulmuesi kavajas u tregua i saktë përballë portierit durrsak dhe shënoi golin që i dha Partizanit fitoren minimale.

Të dyja skuadrave, si Partizanit, edhe Teutës, iu anulua një gol në këtë ndeshje për pozicion jashtë loje. Teuta ishte pa fat pasi goditi edhe shtyllën në një moment. Gjithsesi, Partizani ia ka dalë të marrë tri pikët e para të 2024-ës dhe trajneri Orges Shehi debutoi me fitore në stolin e kuq.

Të dielën luhen edhe dy ndeshjet e fundit të kësaj jave, Vllaznia-Kukësi dhe Laçi-Erzeni.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë