Politike

Peleshi: Asnjë ftohje me Ramën. 5 qershori s’është shkelur

Ish-zv.Kryeministri dhe ish-ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi mohon se ka një ftohje të raporteve mes tij edhe Edi Ramës.

“Nuk kam asnjë ftohje me kryeministrin. Në rast se i referoheni ndryshimeve të fundit në qeveri pas të cilave unë nuk jam më ministër do të ishte mendjelehtësi dhe naivitet politik në rast se një ministër kushdo qoftë ai, do të ndihej si i fyer pse nuk vazhdon të jetë ministër. Shqipëria nuk ka këtë hall, s’ka hallin e punës që do bëjë Niko Peleshi apo kushdo tjetër. Shqipëria ka hall tjetër dhe e kundërta do të ishte keq, pra nëse do të kishim formacione që nuk ndryshojnë”, tha Peleshi gjatë një interviste për mediat lokale në Korçë.

Peleshi thotë se është i lumtur dhe mirëpret sfidën e radhës si drejtues politik i Partisë Socialiste në Qarkun e Korçës.

“Nuk kam asnjë lloj pakënaqësie, përkundrazi jam shumë i lumtur që përfaqësoj Korçën, do vazhdoj të drejtoj punën politike në qarkun e Korçës. Punët kanë shkuar mirë këto vite në Korçë po dhe në Pogradec, Kolonjë, Devoll, Maliq dhe së shpejti dhe në Pustec. Duhet thënë që është një zonë e vogël e lënë pas. Kemi bërë punë të mira në këto vite, mendoj që shumë prej këtyre nuk kanë shkuar atje ku duhet, pra te ekonomia e çdo familjeje”, vijon ai.

Duke komentuar 5 qershorin, ish-zv.Kryeministri mendon se marrëveshja nuk është shkelur.

“Ndryshimet Kushtetuese është thenë disa herë, nuk e injoruan dhe nuk nëpërkëmbën marrëveshjen e 5 qershorit ato vetëm sa shtuan dhe saktësuan mbi atë bazë më pas me ndryshimet e shtatorit të Kodit Zgjedhor një sistem zgjedhor i cili i jep fund një lloj non sensi të pashpjegueshëm të trashëguar nga e kaluara mirë apo keq, për të gjitha partitë njëlloj të formulës së koalicioneve”, tha Peleshi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë