Futboll

Pelegrini dhe Barela i dhurojnë Italisë fitoren e dytë në turneun amerikan

Gazeta Si – Një e majtë e bukur e Lorenco Pelegrinit kaloi Italinë në avantazh në miqësoren e Ekuadorin. Në minutën e 94-t dyfishoi Barela. ‘Axurrët’ luajtën një pjesë të parë të mirë, por ranë në të dytën.

Në ‘Red Bull Arena’ të Nju Jorkut Italia mundi 2-0 Ekuadorin, duke marrë kështu fitoren e dytë në SHBA, pas suksesit të pak ditëve më parë ndaj Venezuelës. Dy ndeshje pozitive për skuadrën e trajnerit Luçiano Spaleti në prag të Europianit të Gjermanisë.

Italia e zhbllokoi ndeshjen me Ekuadorin vetëm pas 3 minutash, kur Pelegrini gjuajti saktë nga jashtë zonës. Xaniolo më pas kishte në këmbë topin për golin e dytë, por u bllokua nga një mbrojtës kundërshtar. Në pjesën e dytë loja e Italisë ra dhe Ekuadori iu afrua barazimit me Platan, por debutuesi Vikario u tregua i vëmendshëm.

Në shtesë Barela, me shiritin e kapitenit në krah, realizoi edhe golin e dytë. Kundërshtarët e parë të Shqipërisë në Europian kthehen nga turneu amerikan me dy fitore që ngrenë moralin në kampin ‘axurr’.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë