Politike

PDIU dhe Vetëvendosje do të presin me protesta ministrin e Jashtëm grek

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias do të pritet me protesta në vizitën e së martës në Tiranë, të paktën kështu ka deklaruar Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shoqata Patriotike Çamëria dhe Qendra në Shqipëri e Lëvizjes Vetëvendosje.

Në deklaratën e PDIU dhe Shoqatës Çamëria bëhet thirrje për tubim paqësor para Ministrisë së Jashtme duke filluar në orën 11:00. Kërkesa janë çështja çame, heqja e ligjit të luftës dhe ajo e detit.

“Në tubimin paqësor për: Çështjen Çame, heqjen e ligjit të luftës, 12 miljet detare shqiptare, Greqia i ka në Prevezë. Kufijtë tokësorë dhe detarë të Shqipërisë janë të njohura që në 1913, 1925, 1926-n dhe askush nuk mund të fali det apo tokë, kushdo që i thotë vetes patriot. Problemet me Greqinë zgjidhen vetëm me dinjitet, reciprocitet dhe dije. Shqipëria nuk ka më as det, as tokë për të falur”, thuhet në deklaratë.

Qëndra në Shqipëri e Lëvizjes Vetëvendosje ka mbështetur protestën dhe bën thirrje për pjesëmarrje.

Ne u bashkohemi kërkesave të shtruara publikisht për këtë tubim, nga Shoqata patriotike “Çamëria” dhe Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Këto kërkesa lidhen me zgjidhjen çështjes shqiptare të Çamërisë, heqjen e ligjit të luftës dhe delimitimin e drejtë të kufijve detarë. Çështjet që ngrihen në këtë tubim paqësor janë në përputhje me qëndrimet e bëra publike në vazhdimësi nga Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri. Ne, në komunikatën e datës 4 shtator 2020, kemi sqaruar se Greqia nuk e ka të drejtën e zgjerimit me 12 milje në dëm të ujërave të Shqipërisë dhe se Tirana zyrtare ka për detyrë ta kontestojë këtë diktat grabitqar. Në mungesë të kundërshtimit zyrtar, falja e territorit shqiptar bëhet fakt i kryer”, thuhet në deklaratën e Vetëvendosjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë