Politike

PD, Zhupa: Rama do të shpenzojë 670 mln lekë për propagandë

Partia Demokratike reagoi ndaj thirrjes së kryeministrit Edi Rama për studentët ku i kërkonte që të protestojnë kundër pedagogëve. Zëdhënësja e PD-së, Ina Zhupa nëpërmjet një postimi në Facebook ka bërë të ditur se qeveria do të shpenzojë 670 milionë lekë për aktiviteitin e quajtur “Samiti i Diasporës”. Sipas zyrtares së PD-së buxheti i parashikuar për këtë aktivitet është i fryrë tej mase.
“Rama do të shpenzojë 670 milionë lekë për propagandë dhe u kërkon studentëve të protestojnë kundër pedagogëve dhe jo për kushtet mizerabël të konvikteve!!! Për regjinë e aktivitetit në ERTV kërkon të vjedhë në emër të emigrantëve plot 12 milion lek; Një udhëtim Tiranë-Lezhë vendoset me çmimin 20 milion lekë d.m.th 25 mije personi; Vendosja e dy flamurëve në shtyllat e bulevardit të Tiranës vendoset me çmimin 22 milionë lek; Transporti në Expo City që ndodhet në autostradën Tiranë-Durrës është llogaritur 10 milionë lek; Skenografia e aktivitetit është llogaritur 180 milionë lek”, shkruan Zhupa.

Faksimile e dokumentit ku pasqyrohen shpenzimet për samitin e Diasporës


Ajo e cilëson këtë samiti si një vjedhje e hapur me paratë e shqiptarëve për të bërë propagandën qeveritare dhe për të mbushur xhepat e vet.
“E ta mendosh që ky aktivitet është thjesht shou i radhës, me të cilin pretendon të përdorë shqiptaret që jetojnë jashtë për t’u hedhur pak hi syve shqiptarëve që janë këtu. Jam e bindur që çdo shqiptar i ftuar në atë samit do ishte më i lumtur që këto para të shkojnë për të rregulluar sado pak një konvikt, apo për të paguar bursën e shkollës për studentët, se sa të përdoren si fasadë për qeverinë e nxirë nga skandalet e korrupsionit dhe shitblerjes se votave”, thekson Zhupa.
Zëdhënësja e PD-së thekson se kryeministri më mirë se sa ti kërkoj pedagogëve dhe investohet për përçarje dhe propagandë bajate lekët për këto pseudoaktiviteteve apo blerjes së makinave mund t’i përdorte për plotësimin e kërkesave të studentëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë