Politike

PD: Veliaj mashtron, projekti i Begos për pallatet 60 mln euro në fazën e dytë

Opozita doli sot me fakte të reja ku ajo pretendon se kryebashkiaku Erion Veliaj ka dhënë leje për ndërtimin në zonën e ish-Serave, duke i hapur rrugë projektit për ndërtimin e një kompleksi pallatesh që kap vlerën e 60 milionë eurove.
Zëdhënësja e PD-s, Ina Zhupa dhe eksperti ligjor i PD-së, Gazment Bardhi dolën sot në një konferencë për shtyp për të denoncuar faktin se projekti i ndërtimit në zonën e ish-Serave është në fazën e dytë.
“Partia Demokratike publikoi dy ditë më parë dokumenta zyrtarë që faktojnë se me firmat e Edi Ramës dhe Erion Veliajt është ndryshuar Plani Urbanistik i Tiranës dhe është devijuar rrjedha e Lumit të Lanës për të favorizuar projektin 60 milionë euro për ndërtimin e pallateve të trafikantit ndërkombëtar të drogës, Edmond Bego. Edi Rama dhe Erion Veliaj flasin për çdo gjë, por nuk u japin përgjigje disa pyetjeve të thjeshta. Pse u ndryshua Plani Urbanistik i Tiranës dhe pse u devijua Lumi I Lanës në zonën ku planifikon të ndërtojë Edmond Bego? A ka aplikuar Edmond Bego për leje ndërtimi me projektin e hartuar nga kompania italiane MISALAB? A do të prishen banesat e 200 familjeve për t’i hapur rrugë ndërtimit të pallateve nga Edmond Bega? Paratë e kujt do të investohen në projektin që ndryshoi rrjedhën e Lanës. Erion Veliaj, në panik për të fshehur të vërtetën me mashtrime, e rëndoi edhe më shumë pozitën e tij, duke mohuar projektin luksoz 60 milionë euro”, theksoi Zhupa.
Zëdhënësja e PD-së me anë të një videoje paraqiti një material autentik, i marrë nga sistemi elektronik i Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, që sipas saj, ku vërtetohet që prona është në fazën e dytë të lejes së ndërtimit.
Në këtë video shfaqet ku një person që ka akses vendos paswordin dhe futet adresen e AKPT-së, klikon në Planin e Përgjithshëm Urbanistik të Tiranës, dhe në zonën e ish-Serave, plani urbanistik rezulton të jetë i skeduar me TR 228.

Plani urbanistik i Tiranës, zona ku PD pretendon se do të ngrihen Pallatet


Kategori A dhe kategori A+V të këtij plani kanë të bëjë me ndërtimin e objekteve me 9 kate lartësi të godinave me mbi 31 metra, dhe të gjitha këto janë planifikuar për t’u ndërtuar në TR 228 në magazinat e ish-Serave që janë në pronësi të Edmond Begos.
Kategoritë A dhe A+V parashikojnë zona me pallate dhe me të gjithë shërbimet për këtë zonë ndërtimi, si dhe me parkime nëntokësore.
“Në sistem prona që detyroi Edi Ramën dhe Erion Veliajn të ndryshojnë Planin Urbanistik të Tiranës dhe projektin për Lumin Lanë pranë zonës së Unazës së Re rezulton se ka kaluar fazën e parë të pajisjes me leje ndërtimi. Pas miratimit të fazës së parë, pajisja me leje ndërtimi e projektit 60 milionë euro që devijoi lumen e Lanës është vetëm formalitet. Erion Veliaj nuk mund ta mbulojë këtë të vërtetë me asnjë mashtrim, propagandë apo me blerje mediash. Sistemi nxjerr zbuluar mashtrimin e Erion Veliajt se gjoja në atë truall nuk ka asnjë projekt për ndërtim pallatesh. Kjo është arsyeja e vërtetë pse ai hesht dhe nuk u shpjegon qytetarëve të Tiranës pse ai ndryshoi Planin Urbanistik të Tiranës dhe rrjedhën e Lumit Lana”, theksoi Zhupa.
Gazment Bardhi më tej deklaroi se kjo nuk është afera e vetme e kryebashkiakut Veliaj. “Në 3 vjet ai ka ndryshuar strukturën e të gjithë qytetit që t’i përshtatet projektit politik të Edi Ramës: shndërrimin e Tiranës në një lavatriçe të pastrimit të parave të pista. E nisi karrierën si kryetar bashkie me projektin mafioz të plehrave, që i mori jetën 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj, krim ky ende i pazbardhur. Një drejtësi e pavarur do të zbulonte se në këtë projekt janë përfshirë individë të lidhur me familjen e Erion Veliajt. Siç mashtroi qytetarët e Tiranës se gjatë mandatit të tij do të kishte zero ndërtime në kryeqytetet, njësoj po mashtron edhe sot Erion Veliaj se nuk ekziston projekti 60 milionë euro. i cili e detyroi Kryetarin e Bashkisë së Tiranës të ndryshojë Planin Urbanistik dhe projektin për Lumin e Lanës. Mashtrimi, propaganda dhe presioni ndaj mediave nuk e mbulojnë dot të vërtetën se Plani Urbanistik i Tiranës dhe Projekti i Lanës u ndryshua me firmat e çiftit më të korruptuar të politikanëve në Europë, Edi Rama dhe Erion Veliaj. Kohës së përdorimit të kryeqytetit si lavatriçe e pastrimit të parave të pista po i vjen fundi!”, theksoi Bardhi.
Disa ditë më parë PD denoncoi se qeveria dhe bashkia Tiranë kishin marrë vendim për të ndryshuar Planin Urbanistik dhe devijuar shtratin e lumit Lanë me qëllim për të krijuar një hapësirë për zbatimin e projektit për ndërtimin nën zonën e quajtur të ish-Serave, ku rezulton të jetë e privatizuar dhe në pronës së biznesmenit Edmond Bego.
Por këto akuza u hodhën poshtë nga bashkia e Tiranës, e cila mohoi të jetë dhënë një lejë ndërtimi në atë zonë, si dhe theksoi se kjo nuk lidhje me projektin e Unazës së Re.
“Lulzim Basha do të mbahet mend si i vetmi kryetar i Bashkisë Tiranës në qindvjeçarin e fundit që firmosi leje ndërtimi për shtesë kati mbi apartamentin e vet në kat të 13. Shtesë kati në hapësirën e përbashkët të banorëve tek pallatit i tij me pamje nga Liqeni. Për t’i kujtuar atij dhe qytetarëve pamjen e një leje ndërtimi bashkëlidhur planvendosja ku Lulzim Basha firmos për Lulzim Bashën, në shkelje flagrante të ligjit të konfliktit të interesit dhe Kodit Civil mbi bashkëpronësinë. Vlen të theksohet se për çështjen e permendur as NUK KA LEJE NDËRTIMI, as NUK PREKET NGA UNAZA E RE. Pra, zona në fjalë nuk preket nga projekti i rrugës të Unazës së Re, pasi ndodhet në Njësinë Administrative nr. 7 dhe është një tentativë e mërzitshme për të ngatërruar një çështje me një tjetër”, thuhet në reagimin e Bashkisë së Tiranës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë