Politike

PD: Tenderi për pajisjet Covid u fry trefish

Partia Demokratike akuzoi Ministrinë e Shëndetësisë se ka fryrë me të paktën trefish një tender për blerjen e disa pajisjeve anti-Covid.

“Klanet brenda Qeverisë luftojnë njëra-tjetrën se kush do të gllabërojë tenderin e radhës. Kjo ka ndodhur këto ditë. Në shtator të këtij viti, Ministria e Shëndetësisë ka hapur një tender me vlerë 5 milionë euro për të blerë disa mjete mbrojtëse antiCovid, vlera e të cilave nuk shkon kurrë më shumë se 1.5 milionë euro. Tenderi kualifikoi disa kompani me oferta nën 2 milionë euro, por një vendim i organi tjetër të Qeverisë, Komisioni i Prokurimit Publik, i skualifikoi të gjithë ofertat më të ulëta. Ndër 12 kompani ofertuese, ai shpalli fituese kompaninë me ofertën më të lartë, e renditur e 10-ta. Për shkak të kësaj lufte mes klanesh në Qeveri, pajisjet antiCovid do të blihen me çmim 3 herë më të lartë se ofertat e skualifikuara”, deklaroi ish-deputetja demokrate, Orjola Pampuri.

Pampuri tha se ky rast tregon fytyrën e vërtetë të kësaj Qeverie, që përfiton edhe në kohë pandemia në kurriz të shqiptarëve.

“Duhet ta kemi parasysh sa herë të shihni ambulancat në radhë se nuk ka shtretër, sa herë të mos gjeni oksigjen për familjarët, sa herë të merrni borxh për ilaçet, sa herë dilni me humbje në biznesin tuaj të vogël, duhet ta keni parasysh, kur dikush humb vendin e punës dhe kur i bëhet një padrejtësi. Babëzinë, pandjeshmërinë dhe arrogancën e pushtetit do ta largojmë më 25 ptill. Qytetarët kanë nevojë për një qeveri që punon për interesin e tyre!”, mbylli deklaratën e saj ish-deputetja demokrate.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë