Politike

PD: Sot një dhjetor i dytë, të ngrihemi kundër Ramës

Sot është 8 Dhjetori, Dita kombëtare e Rinisë, që shënon dhe 28-vjetorin e lëvizjes studentore në Shqipëri. Demokratët e kanë kujtuar Ditën e Rinisë, me një aktivitet në Qytetin Studenti, aty ku nisi dhe Lëvizja Studentore që i dha fund diktaturës komuniste.
Një përvjetor ndryshe ky për Partinë Demokratike, pasi Qyteti i Studentit ishte bosh për shkak se studentët e sotëm kishin dalë në protestë, duke përjetuar kështu një Dhjetor të dytë.
Në fjalën e tij, ish-kryeministri Sali Berisha risolli në kujtesë emocionet e atyre ditëve, ndërsa i quajti studentët e 90-ës heronj të pamposhtur.

https://www.youtube.com/watch?v=AmcGFlWYLlY&feature=youtu.be
Sali Berisha, gjate perkujtimit të 28-vjetorit të lëvizjes studentore në Shqipëri


“Ditë si kjo janë ditë kujtimesh mbresash, në të vërtetë për mua këto janë ditët e shtrëngatave emocionale të fuqishme, për ato përjetime të 28 viteve më parë. Janë ditët e gjenezës, në 28 vite kemi pasur ditë të mëdha, të bekuara edhe të vështira, por ditët e dhjetorit ‘90 janë ditët e gjenezës në këto tri dekada të kombit shqiptar. Për mua janë ditët ku unë përjetova mrekullinë më të madhe të jetës sime sepse, ato ditë unë do të kisha përballë, një grup studentësh 500, por edhe 1000 që në rrugën afër rrugës Elbasanit ishin pozicionuar përballë autoblindave, tankeve, mitralozave, të gjitha llojeve të armëve. Ishin të vetmuar, 15-16 qytetarë ishin afër tyre, por ishin të pamposhtur ishin heronj. Asnjë nuk thotë se unë isha hero, por vërtetë ato ishin heronj të vërtetë të Kombit shqiptar. Ishin heronj të pamposhtur”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, ata ishin heronj, pasi edhe pse ishin rrahur pas takimit me Ramiz Alinë, ata ishin sërish drejt sheshit për t’i pushtuar regjimit sheshin e pushtetit, për t’i kthyer Skënderbeun sheshin dhe kombin.

“Lironi studentët, ose sheshin do ta bëjmë copa”. Ishte Azem Hajdari që bëri gjithçka për krye kërkesën e pluralizmit politik, e miratoi në këtë shesh, në një miting të mbushur plot me studentë. Idealet e dhjetorit janë fryma, energjia më e pastër e shqiptarëve. Tek dëgjoj studentët me sloganin “e duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, Azem ti je gjallë. Do të mbetesh për jetë të jetëve, në thirrjen e shqiptarëve drejt Evropës Lideri i tyre, heroi i tyre, doli nga këto ndërtesa, nga ky shesh si një Mesi për shqiptarët. Ai la peng Rudinën dhe Kirin, ai u tha se nuk do t’i tradhtojë kurrë, studentët i besuan t’i udhëhiqte drejt përballjes më të egër me një diktaturë mizore. Studentët i besuan Azem Hajdarit drejt përballjes së betejës më të egër. I pamposhtur, Ai bëri ultimatumin”, tha Berisha në fjalën e tij.
Ish-kreu i PD-së theksoi se sot me këta studentë në protestë, kemi një dhjetor të dytë. “Ky regjim i Ramës ka mbyllur dyert e Europës me muret e drogës dhe të krimit. Ka detyruar shqiptarët të largohen nga vendi si në ‘90 se ka vrarë shpresën në çdo rrugë e qelizë të shoqërisë shqiptare. Studentët po u ngjallin shpresat shqiptarëve, u shpreh mbështetjen më të fuqishme dhe shqiptarët t’i mbështesin me të gjithë mundësitë e tyre”, tha Berisha.
Ish-kryeministri gjithashtu është shprehur se sot pas 28 vitesh kemi një dhjetor të dytë.
“Sot prej 4 ditësh kemi një dhjetor të dytë. Si asnjëherë tjetër universitetet e vendit kanë nisur një betejë të vendosur kundër regjimit që quhet kakistokraci, një nga regjimet më të këqija dhe ky regjim është ai i Edi Ramës, i cili ka përqendruar të gjithë pushtetet në duart e veta. Ky regjim ka përqendruar të gjitha pushtetet në dorën e vet. Ky regjim i ka mbyllur Shqipërisë dyert, ka varfëruar dhe largon shqiptarët si në ‘91, sepse ka vrarë shpresën në çdo vatër e çdo qelizë të shoqërisë shqiptare. Studentët po u ngjallin shpresat shqiptarëve. Unë u shpreh mbështetjen më të fuqishme, u bëj thirrje shqiptarëve t’i mbështesim me gjithë mundësitë. Mos dëgjoni ju ata manipulatorë, që kërkojnë t’ju shkëpusin nga shoqëria, ata manipulatorë që për interesa të padronëve të tyre, përpiqen t’ju paraqesin se po protestoni prej katër ditësh për një gjobë apo një tjetër. Po ju kujtoj një fjalë këtu, në takimin e parë me Ramiz Alinë, Azemi do t’u thoshte se nuk jam këtu për një gotë çaj më tepër. Ju protestoni sot për ato motive që protestuan 28 vite më parë studentët shqiptarë, drejtësi sociale”, është shprehur Berisha.


Basha: Vetting në politikë ose rrëzohet Parlamenti

Kryedemokrati Lulzim Basha u ka bërë thirrje qytetarëve që të ngrihen për të rrëzuar qeverinë, që sipas tij po bllokon të ardhmen e shqiptarëve.
“Nga ky shesh studentët hapën dritën e ndryshimit. Edhe sot shumica e shqiptarëve gjenden në errësirë, të braktisur nga pushteti që është përqendruar në një dorë. Kushtet e studentëve janë përsëri mesjetare, të mjerueshme, ndërkohë që tarifat rriten. Qeveria duhet të kishte prioritet absolut. Në Bulevardin e Ri dhe në Unazën e Re familjet po rezistojnë kundër një projekti korruptiv. Është një skemë e madhe grabitjeje dhe vjedhjeje. Këto nuk janë vendimet e shqiptarëve dhe të një qeverie që përfaqëson shqiptarët, kjo janë vendimet e një grupi injorantësh dhe kriminelësh që kanë marrë peng Parlamentin dhe vendin. Kanë bllokuar ëndrrën e Dhjetorit të 1990. Ky grup hajdutësh ka vetëm një projekt, atë të grabitjes së Shqipërisë. Para që duhet të shkonin për këto konvikte janë zhdukur në gropat e korrupsionit në dhjetëra projekte”, është shprehur kryedemokrati Basha.
Në fjalën e tij, ai theksoi se ka ardhur koha për një Dhjetor të dytë për të plotësuar amanetin e lënë përgjysmë nga lëvizja studentore e 28 viteve më parë.

https://www.youtube.com/watch?v=7ckmnWT-hDo&feature=youtu.be

Lulzim Basha, gjate perkujtimit të 28-vjetorit të lëvizjes studentore në Shqipëri

“Njësoj si studentët e dhjetorit të ’90 edhe ato e nisën me një kërkesë të padrejtë, që po vihej në kurrizin e tyre tarifës për provimet e dyta dhe të treta, por shpejt e kuptuan dhe do ta kuptojmë se ata janë simptomat e një sistemi të kalbur që duhet çmontuar deri në themele dhe duhet rrëzuar dhe pastruar me çdo kusht. Ndaj e sotmja është një ditë kur ne duhet të shohim nga e ardhmja, me optimizëm e besim tek e ardhmja njësoj si studentët tanë, si bijtë e bijat që derdhur nëpër rrugët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë. Sot jemi të vetëdijshëm se kurrë se çfarë na mban prapa. Është sërish mungesa e lirisë politike, është sërish shkatërrimi i zgjedhjeve nga aleanca me krimin, është sërish pushteti i pakufizuar në duart e një njeriu që çon në grabitjen e vendit. Detyra jonë e PD-së, e partisë që lindi nga lëvizja studentore e dhjetorit ’90 është t’i prijmë betejës për të hapur politikën, për ta bërë atë të ndershme, konkurruese dhe të aksesueshme nga çdokush, sepse vetëm kështu do të plotësojmë amanetin e paplotësuar të studentëve të dhjetorit ’90. Vetë kështu do t’i japim një trase të sigurt ëndrrës së dhjetorit të dytë, përmes një politike ku deputetë dhe kryebashkiakë nuk janë produkt i vendimmarrjeve të krimit, i vendimmarrjeve të oligarkëve të babëzitur, i politikanëve të korruptuar të bërë njësh me krimin dhe oligarkët, por janë produkt i drejtpërdrejtë i qytetarëve shqiptarë, i votës së lirë. Kjo është rruga e vetme për të garantuar liritë dhe dinjitetin e çdo qytetari”, tha Basha.

Kreu i PD-së ka dhënë edhe një ultimatum në aktivitet, duke i ftuar prindërit që t’i bashkohen protestës së fëmijëve të tyre, sepse vetëm kështu sipas tij, mposhtet e keqja.
“Apel mos heshtni, mos kini frikë prindër, ngrihuni dhe bashkohuni me ta kundër padrejtësisë, kundër së keqes. E keqja zmbrapset e mposhtet sa herë që shqiptarët e ndershëm janë bashkë. Le të bashkohemi të gjithë për të pastruar vatrën e së keqes, për t’i dhënë fund lidhjes së politikës me krimin. Ky sistem duhet rrëzuar me çdo kusht. Sot duhet të shohim nga e ardhmja si studentët tanë që janë derdhur në rrugët e Tiranës, pasi Shqipëria nuk është e lirë si Europa. Le ta japim sot ultimatumin tonë politik, si testament të Azem Hajdarit dhe të studentëve të Dhjetorit 1990, dëshirë dhe aspiratë e çdo shqiptari: Parlamenti shqiptar ose do të pastrohet nga krimi dhe t’i kthehet qytetarëve, ose do të rrëzohet, do të rrëzohet. Ta çlirojmë qeverinë shqiptare nga krimi dhe ta kthejmë nëpërmjet votës shërbëtore të qytetarëve dhe josunduese. Kjo frymë është më e madhe. Po të jemi bashkë nuk ka forcë që na ndal, le të jemi bashkë në këtë dhjetor të dytë për të mposhtur bandën e hajdutëve”, deklaroi Basha.


Rudina Hajdari: Unë dorëzoj mandatin, jam me studentët


Nuk e kishte parashikuar të fliste, por vajza e Azem Hajdarit, e liderit të Dhjetorit ’90, Rudina Hajdari dha një mesazh të qartë për lidershipin e PD-së, siç ishte ai dorëzimit të mandateve.
“Unë sot këtu flas jo si studente e dhjetorit ’90, si një e re që sot dua t’u bëj betim të rinjve se jam gati të dorëzoj mandatin tim dhe t’u bashkohem atyre për luftën e tyre, për çdo gjë që ata  do të bëjnë, unë u premtoj atyre se nuk jam kthyer në Shqipëri për një post, por për të ardhmen e Shqipërisë, jam kthyer për të çuar amanetin e babait tim deri në fund. Prandaj sheshi i Demokracisë nuk është këtu, sot është te Ministria e Arsimit. Ne duhet të shkojmë atje sot! Ka ardhur koha për një demokraci tjetër, e cila nuk i çon të rinjtë jashtë Shqipërisë. Ne e kemi vendin këtu dhe do ta bëjmë Shqipërinë”, tha deputetja demokrate. Fjalimi i saj u prit me entuziazëm dhe u duartrokit nga të pranishmit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë