Politike

PD: Skema korruptive e pasurimit të Spiropalit. Ministrja: Shihemi në gjyq

Partia Demokratike ka denoncuar pasurimin në mënyrë korruptive të ministres së Shtetit për Marrrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali dhe familjes së saj.
Ishte deputetja demokrate, Jorida Tabaku që në një dalje për mediat sqaroi skemën e përfitimit.
“Historia e Kompanisë SLM që i përket familjes Spiropali është simbol sesi qeveria vjedh paratë publike dhe taksat e shqiptarëve. Kjo kompani është krijuar më 9 shtator në të njëjtën ditë që u krijua qeveria Rama. Dokumentet zyrtare konfirmojnë se Enkli Spiropali, vëllai i zëdhënëses së qeverisë që në atë kohë po merrte emërimin si drejtoreshë e Doganave krijoi një kompani që e quajti SLM me qendër në Fier dhe me kapital 1 mln lekë të vjetra. Brenda pak muajve kompania e sapokrijuar fitoi tenderin e parë më 27 mars 2014. Bamirësi ishte kunati i tij, bashkëshorti i Elisa Spiropalit. Për të fshehur gjurmët e konfliktit të interesit dhe të ndonjë vepre tjetër penale vëllai i saj e shiti kompaninë me letra më 8 prill 2014. Kompania u shit brenda familjes, te kushëriri i bashkëshortit. Vlera e shitjes ishte 1 mln lekë, megjithëse kompania fitoi një tender prej 6 mln lekësh. Me këtë skemë duke u fshehur pas kushëririt të familjes, bashkëshorti i Spiropalit i ka dhënë familjes së tij 350 mln lekë”, tha Tabaku.
Lidhur me këtë aferë korruptive, Tabaku ndër të tjera tha se duhet të nisë ndjekja penale.
“Këto janë afera që kërkojnë ndjekje penale dhe përballje me drejtësinë. Më e pakta që duhet të ndodhë sot është angazhimi i Inspektoriatit të Pasurisë për të hapur një hetim pasuror”, u shpreh deputetja demokrate.

I menjëhershëm është reagimi i ministres Spiropali, që i hedh poshtë këto akuza. Ajo e cilëson si tërësisht të pavërtetë, denoncimin sipas të cilit kompania e vëllait të Spiropalit ka fituar një tender, e të tjerët më pas i ka fituar personi të cilit ai i ka shitur kompaninë. Sipas saj e vetmja rrugë për këto akuza të bëra nga Partia Demokratike është padia. “Vëllai im nuk ka përfituar kurrë dhe asnjëherë asnjë kontratë apo fond publik, as kur isha beqare, as kur u martova, as kur isha aktiviste, as kur isha drejtore, e as tani si ministre. Po fjalët me këta gojështhurur janë të tepërta. Padia është e vetmja rrugë me këta bartës e përçues të horrllëkut politik. Në gjykatë le të provojnë çfarë akuzojnë ose përndryshe paratë për dëmin do të shkojnë për të ndihmuar kopshtin e Kolonjës”, shkruan ministrja Spiropali në “Facebook”.

https://www.facebook.com/espiropali/posts/10158174571597926?__xts__[0]=68.ARD-f-QsuaNsAkUTa9R21mn4gKMDRlykOgI7ln--T7TINUv0JUB00R9gv2OBxdBCfCcAzOznHonNy0EFD7zoAAGYBbPAsbbT8R51lZnH-YUc977za2dXgLf0UZXV1bCTJkWqmbe5Po_8wt8N8a-iJV7P_Q1WUVfVnnjSJrb3IqRFrFyPDNmNJR8xo6QDRG69yUvgmUBtOcq2cHWsRaggjBRoIhT_KFw1WMc0Y2qjAdsJ36tH_a7WT0zaqJnSewRCaor9K_0GJf3iaUJtenu-DWTto7m_fmdpFClZW0WRV21nrkD2T8nKXUEa02mQEEXpTSBgAApVyTzDg2Jd&__tn__=-R

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë