Politike

PD shkresë KQZ-së për Kajmakun: Shkarkojeni pa vonesë

Partia Demokratike iu drejtua zyrtarisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke i kërkuar që veprojë menjëherë për rastin e kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku. Në kërkesën e firmosur nga ana e sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi, partia më e madhe e opozitës kujton se për këtë vepër të kryer nga Agim Kajmaku, ligji parashikon humbjen e menjëhershme të mandatit dhe dënimin e tij me deri në 4 vjet burg.
“Fakti që në Formularin e Vetëdeklarimit, nuk është pasqyruar asnjë e dhënë e përcjellë në lidhje me arrestimin dhe hetimet përkatëse në shtetin grek, si dhe identitetin e rremë të përdorur nga vetë ai, bën që Agim Kajmaku të përfshihet në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit publik si Kryetar i Bashkisë. Kjo sjell përjashtimin e menjëhershëm dhe në çdo kohë nga funksioni publik që mban” – shprehet në kërkesën e tij numri dy i PD-së.
Në këtë kërkesë, drejtuar Kryetarit të KQZ, Klement Zguri dhe që i është dërguar për dijeni Ambasadës së SHBA dhe BE në Tiranë, theksohet qëndrimi i mëparshëm që KQZ-ja ka mbajtur në rastet e heqjes së mandatit të deputetëve Gledion Rahovica dhe Aqif Rakipi, raste këto që janë identike me atë të Agim Kajmakut.

Gazment Bardhi duke folur sot për median. Gazeta Si, 29 tetor 2019


“Për prokurorinë është e provuar se Agim Kajmaku ka pasur dijeni të plotë në lidhje me faktin që ka qenë në hetim penal në Greqi dhe se ndaj tij kishte një proces gjyqësor penal në zhvillim. Ai ka kryer veprime konkrete për fshehjen e këtij fakti para autoriteteve shqiptare”- thuhet në kërkesën e PD për KQZ-në.

Faksimile e letrës së PD-së drejtuar KQZ-së


Kërkesa e PD ka një sërë detajimesh juridike për t’i kujtuar KQZ-së se zbatimi i ligjit të dekriminalizimit për një funksionar si Agim Kajmaku, i cili ishte në kërkim europian në kohën e kandidimit dhe marrjes së mandatit, është shumë i rëndësishëm për besimin e publikut tek institucionet demokratike.
“Në këtë rast, anëtarët e KQZ-së duhet të zbatojnë ligjin dhe të mos i nënshtrohen urdhrave politikë të Edi Ramës, pavarësisht se ai është personi që ka emëruar në detyrë edhe Agim Kajmakun, edhe 4 nga 5 anëtarët e KQZ-së”-përfundon kërkesa e Partisë Demokratike për mbledhjen e menjëhershme të KQZ-së dhe shkarkimin e Agim Kajmakut nga detyra e Kryetarit të Bashkisë së Vorës.

Në cilësinë e iniciuesit të kësaj procedure administrative kërkon nga Komisionit Qendror i Zgjedhjeve: Thirrjen pa vonese të mbledhjes së KQZ-së dhe përfshirjen në rend dite të shqyrtimit të rezultatit të verifikimi të Prokurorisë së Përgjithshme për funksionarin publik Agim Kajmaku; Miratimin e e rezultateve të organit të prokurorisë, që subjekti Agim Ymer Kajmaku, është në kushtet e parashikuara në pikën 3, germa “ç”, kreu III i vendimit të Kuvendit dhe ndaj duhet të merret masa e skualifkimit të menjëhershëm nga ushtrimi i mëtejshëm i funksionit publik”

Faksimile e letrës drejtuar KQZ-së, ku vë në dijeni ambasadat e SHBA dhe te BE-së

Shkresa e Prokurorisë i ka mbërritur zyrtarisht KQZ-së dhe se brenda 10 ditësh duhet të merret një vendim mbi konkluzionet e nxjerra nga hetimi ndaj Kajmakut. Drejtoria Juridike po përgatit materialet për mbledhjen e radhës, ku do të vendoset për shkarkimin ose jo të Agim Kajmakut. Sipas ligjit të dekriminalizimit, vendimmarrja duhet të merret brenda 10 ditëve, por burime nga KQZ thonë se do të veprohet më shpejt.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë