Politike

PD: Rama i dha Gjicit 1,5 mln usd për projektin e pakontraktuar

Partia Demokratike akuzon kryeministrin Edi Rama se me një akt të fshehtë normativ i ka akorduar një fond kompanisë së ndërtimit të Safet Gjicit, njeriut që për demokratët është kandidat i përhershëm për Bashkinë e Kukësit, me qëllim zbatimin e projektit në Universitetin e Durrësit.
Këshilltari Ekonomik në PD, Dorian Teliti në konferencën për shtyp bëri të ditur se “me aktin e fshehtë normativ, Edi Rama i ka shkurtuar investimet në arsim, por i ka dhënë Safet Gjicit 1.5 milionë dollarë për një punë, për të cilën ai nuk ka lidhur kontratë me qeverinë, por me Universitetin e Durrësit”.
“Nëpërmjet kompanisë “Kevin Construction”, Safet Gjici ka lidhur kontratë prej 5 milionë dollarë me këtë universitet, i cili, sipas dokumenteve të tenderit, duhej të financohej plotësisht nga të ardhurat e vetë Universitetit. Në realitet është ndryshe. Në këtë rast qeveria është treguar plotësisht klienteliste. Në vend që të shlyejë rreth 240 milionë dollarë detyrime të prapambetura, të konstatuara nga FMN, qeveria e Edi Ramës mbush xhepin e Safet Gjicit me 1.5 milionë dollarë për një projekt ku ajo nuk ka asnjë detyrim. Në Shqipëri janë me dhjetëra projektet që Universitetet kanë kontraktuar me kompanitë private, por Edi Rama ka përzgjedhur të financojë vetëm njërin prej tyre, atë të klientit Safet Gjici”, theksoi Teliti.
Sipas PD-së, në 5 vitet e qeverisjes së Edi Ramës, Safet Gjici ka marrë rreth 30 milionë dollarë tendera, shumicën e të cilëve pa garë apo me garë fiktive. “30 milionë dollarë janë të mjaftueshme për të nisur ngritjen e një infrastrukture moderne, me auditorë, biblioteka dhe pajisje laboratorike për të gjithë universitetet e vendit. Qeveria ka detyrimin të përgjigjet sot përse, mes dhjetëra projekteve të tjera, ka përzgjedhur të financojë me 1.5 milionë dollarë vetëm kompaninë e Safet Gjicit, kandidatit të tij për Kukësin”, theksoi Teliti.
Të gjithë këto akte për opozitën janë bëhen për faktin se Edi Rama po synon që të blejë zgjedhjet dhe për ta Safet Gjici është njëri prej tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë