Lajme

PD: Prokuroria ‘mbron’ Kajmakun

Partia Demokratike, nëpërmjet ish-deputetit Luçiano Boçi, vijon me akuzat dhe sulmet ndaj kryebashkiakut të Vorës Agim Kajmaku.
Boçi tha se Prokuroria, duke u fshehur pas procedurave, nuk i merr shenjat e gishtërinjve dhe krijon mburojë mbrojtjeje për Agim Kajmakun.
“Jorgo Toto, Agim Kajmaku, të cilin Edi Rama ua dërgoi qytetarëve të Vorës si peshqesh të qeverisë së tij të krimit, ka refuzuar të depozitojë shenjat e gishtave, duke konfirmuar kështu se është ai personi i arrestuar në Greqi nën akuzën e trafikimit të parave të falsifikuara.
Prokuroria, duke u fshehur pas procedurave, po ndërton një mburojë mbrojtjeje për të inkriminuarin e radhës.
Në njoftimin zyrtar, organi i akuzës pranoi publikisht se ka dështuar të marrë shenjat e gishtave të personit të akuzuar Agim Kajmaku dhe për këtë dështim paraqet si shkak ngatërresën e adresës nga Zyra e Postës”, u shpreh ish-deputeti.
Sipas Boçit, Edi Rama duke u fshehur pas postierit të Vorës po bën gjithçka për të shpëtuar të inkriminuarin e tij.
“Edi Rama duke u fshehur pas postierit të Vorës po bën gjithçka për të shpëtuar Jorgo Kajmakun. Duke refuzuar të japë shenjat e gishtërinjve të kandidatit të tij dhe duke përdorur prokurorinë, postierin e Vorës dhe duke heshtur përballë fakteve të publikuara nga PD, Edi Rama tashmë është zbuluar publikisht mbrojtësi i trafikantit të parave të falsifikuara, i arrestuar në Janinë dhe më pas i arratisur prej drejtësisë greke. Edhe prokuroria, njësoj si kryeministri që fshihet pas Omertës, u fsheh sot pas procedurave, duke u bërë vegla qorre e kryeministrit në mbrojtje të Kajmakut”, tha ndër të tjera ish-deputeti Boçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë