Lajme

PD: Projekti i Unazës u ndryshua për të pastruar 60 mln euro

Projekti i Unazës së re është ndryshuar nga qeveria Rama me qëllim krijimin e një hapësire për ndërtimin e një rezidence banimi në një sipërfaqe prej 30 mijë metra katrorë, që shkon në një vlerë deri në 60 milionë dollarë.
Këshillit Kombëtar të Territorit në vitin 2017 ka ndryshuar Plani urbanistik të Tiranës të vitit 2013, duke devijuar gjurmën e ndërtimit të Uanzës së Re, pikërisht në pjesën e cilësuar si Loti II i rrugës. Me këtë vendim, Qeveria dhe Bashkia kanë vendosur devijimin e lumit Lana, duke krijuar një sipërfaqe ndërtimi në zonë e quajtur ish-Sera. Partia Demokratike nëpërmjet një konference për shtyp denoncoi të dhënë nga deputetja Jorida Tabaku dhe këshilltari ligjor i PD-së, Gazmend Bardhi e cilësoi këtë si një aferë korruptive pasi sipas tyre, ky akt është ndërmarrë për të favorizuar tokën që është në pronësi të biznesmenit Edmond Bego, që sipas opozitës është në mik i kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

“PD po publikon sot fakte tronditëse sesi Rama dhe Veliaj kanë bashkëpunuar për një projekt tjetër korruptiv me trafikantin ndërkombëtar të drogës Edmond Bego, i njohur si miku i Taulant Ballës. Edmond Bego ka parashikuar të ndërtojë një kompleks rezidencial luksoz tek zona e Unazës së Madhe. Për llogari të këtij projekti të trafikantit të drogës, Edi Rama dhe Erion Veliaj kanë ndryshuar Planin Urbanistik të Tiranës; kanë ndryshuar rrjedhën e lumit Lanë në favor të projektit luksoz të trafikantit të drogës; kanë planifikuar dëbimin nga shtëpitë të të paktën 200 familjeve për të mbajtur të paprekur pronën e Edmond Begos”, theksoi Tabaku.
Sipas saj, me Planin Urbanistik të vitit 2013, projekti për sistemimin e Lanës prekte një pjesë të tokës ku do të ndërtojë Edmond Bego. Ajo prezantoi dhe me foto mënyrën se si u devijua plani i projektit në krahasim me vitin 2013 dhe këtë të fundit me vitin 2017.
“Bëhet fjalë për zonën e njohur si ish-Serat, e privatizuar në vitin 2016 me firmën të Arben Ahmetajt. Plani Urbanistik u ndryshua në vitin 2017 me firmën e Edi Ramës dhe Erion Veliajt. Plani Rama-Veliaj ndryshoi projektin për sistemimin e Lanës me qëllim mos prekjen e zonës së ish serave, ku trafikanti ndërkombëtar i drogës Edmond Bego, ka planifikuar të ndërtojë kompleksin luksoz rezidencial. Nga njëra anë shpikin një projekt të fryrë 40 milionë euro dhe e ndajnë pa garë me 3 oligarkë, nga ana tjetër ndryshojnë Planin Urbanistik dhe shtratin e lumit Lanë për llogari të një trafikanti ndërkombëtar droge”, theksoi më tej Tabaku.

Jorida Tabaku dhe Gazmend Bardh në konferencën e sotme për shtyp

Për të mbështetur akuza në prova dhe dokumente, PD paraqiti dokumente pronësie në emër të Begos, si dhe projektin e miratuar nga studio italiane MISALAB ku do të ndërtohet në zonën e ish-serave. Projekti është kërkuar nga firma që ka në pronësi Bego në një sipërfaqe prej 30 mijë metrash katrorë.
“Dokumentet e Hipotekës provojnë se kjo sipërfaqe toke i ka kaluar për ndërtim kompanisë ALSION-ALBANIA, e cila është në pronësi 100 për qind e Mond Begës. ALSION-ALBANIA do të ndërtojë tek ish Serat një projekt me vlerë fillestare investimi 60 milionë euro. Të dhënat e projektit të siguruar nga tregojnë se vendndodhja e tij është përgjatë Unazës së Madhe, buzë lumit Lanë, sipas ndryshimit me firmën Rama Veliaj në vitin 2017. Projekti luksoz i Mond Begës është krijuar nga, ku si klient paraqitet kompania tjetër e Mond Begës, INERTE EXPRES. Kompleksi rezidencial, ku do të investohen 60 milionë euro, është paraqitur prej Edmond Begos në Bashkinë e Tiranës, ku kanë nisur procedurat e pajisjes së tij me leje ndërtimi”, deklaroi më tej Bardhi.   


Si rezultat i ndryshimit të këtij projekti, opozita akuzon se qeveria do të prishë 200 shtëpi. “Ndryshimi i projektit të Unazës së Madhe dhe sistemimit të shtratit të Lumit Lana për llogari të Edmond Begës është kriminal. Nga ndryshimi i projektit preken rreth 200 familje, ku pjesa dërrmuese e tyre janë në proces legalizimi. Kjo do të thotë që Edi Rama do të nxjerrë në qiell të hapur mijëra banorë për t’i shërbyer pastrimit të parave të pista që vijnë nga krimi i organizuar dhe trafiku ndërkombëtar i drogës. Firma e Edi Ramës dhe Erion Veliajt për ndryshimin e Planit Urbanistik dhe të shtratit të lumit Lanë për të mos prekur projektin 60 milionësh të Edmond Begos në kurriz të 200 familjeve shqiptare është treguesi më i qartë se alternative e vetme e Edi Ramës është bashkëqeverisja e tij me krimin e organizuar. Kjo qeveri e ka vënë shtetin në shërbim të trafikantëve të drogës. Ajo po shemb shtëpitë e shqiptarëve që krimi të ndërtojë pallate”, theksoi Bardhi.

Ndërkohë që në uebfaqen e studios së firmës italiane MISALAB gjendet projekti “Tirana Splendor” me klient Inerte Express dhe në të bëhet e ditur se kostoja e projektit është 60 milionë euro. Ai është hartuar nga arkitekti Luciano Soldi.
“Zona e projektit, në perëndim të Tiranës, është e vendosur si objekt në një fushë të një programi të fortë të transformimit urban me një bulevard të ri që do të përcaktojë kufirin. Kjo ndikohet nga instrumentet e planifikimit si një zonë me densitet të lartë.
Me qëllim rikualifikimi, ndërhyrja përbëhet nga dy sheshe lidhëse me rreth 100.000 metra katrorë të sipërfaqes së rezidencës së banimit, dy sheshe për këmbësorë me shërbime të lidhura dhe një qendër nëntokësore tregtare prej 11.000 metrash katrorë”, thuhet në prezantimin e projektit të kësaj firme.   

Kush është Edmond Bego
Emri i Edmond Begos do të dilte në media në datën 20 gusht të vitit 2018, ku u ndalua në shtetin fqinj grek. Biznesmeni shqiptar që u ndalua nga policia greke teksa kthehej për në Shqipëri nga Korfuzi ku bëri pushimet me familjen, u arrestua për llogari të shtetit Italian, pasi sipas policisë greke, ndaj tij rezulton i lëshuar një urdhër arresti nga autoritetet italiane për pjesëmarrje në organizatë kriminale, kontrabandë dhe trafikim të drogës (heroinë – kokainë).
Sipas policisë greke në momentin e ndalimit, 48-vjeçari kishte një pasaportë me emrin e ndryshuar në Mond Bega dhe me anë të këtij dokumenti kishte kaluar nga Shqipëria për në Korfuz.

Edmond Bego, biznesmeni për të cilin opozita pretendon se po favorizohet për ndërtimin në zonën e Unazës së Re


Bego njihej edhe si person i lidhur atë kohë me bandën e Lushnjës, Sipas vendimit të gjykatës Italiane Bego ishte dënuar në Torino në vitin 2008 me 13 vite burg për akuza të rënda. Por edhe pse në Itali ishte dënuar me 13 vite burg, bazuar në vendimin e Gjykatës së Lartë në Tiranë në 2010, Bego u lirua për më pak se 3 vite burgim. Por Bego u lirua pasi përgjigjja e mbërritur nga Italia përmes një shkrese të Interpol Romës, theksohej se shtetasi në fjalë nuk ishte më në kërkim.
Ndërkaq arrestimi i tij u bë edhe si shkak për akuza politike, ku opozita akuzoi kreun e grupit të PS-së, Taulant Balla se ka mik të ngushtë Begon, madje duke aluduar se i kanë dhënë edhe favore për përfitime në tendera.
Në lidhje me këto akuza, Balla do të deklaronte se e njihte Begon dhe se e kishte njohje, si dhe ka frekuentuar disa herë edhe lokalin e tij për të pirë kafe.


“Unë nuk bëj pjesë në atë racë politikanësh që një njeri që e njohin thonë nuk e njohin. Unë nuk bëj pjesë në atë racë politikanësh që dalin për turp në krye të Parlamentit dhe thonë nuk njoh baxhanakun, nuk njoh kunatin. Unë kam thënë e njoh. Sot për herë të parë po them rrethanat në të cilat e njoh. Zotëria në fjalë më është prezantuar nga disa prej drejtuesve më të lartë të komunitetit mysliman. Zotëria në fjalë si sipërmarrës në vitin 2015 kur unë e kam njohur për herë të parë, fund 2014-ës, fillim i 2015-ës në mos gaboj ka kontribuar në një prej xhamive të zonës sime elektorale për të cilën komunitetit në radhë të parë dhe zotërisë i jam shumë mirënjohës. Si kontribuues në atë xhami e kam falënderuar dhe sigurisht prej atij momenti e kam njohur sepse dhe unë dhe ti kemi pirë kafe në lokalin e këtij personi”, do të deklaronte Balla në një emisionin televiziv “Opinion”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë