Lajme

Akuzat e PD për “Unazën e Madhe”, Bashkia: S’ka leje për Begon

Bashkia e Tiranës hedh poshtë akuzat e opozitës lidhur me “Unazën e Madhe” dhe projektin për devijimin e lumit Lana.

Në një deklaratë për mediat, Bashkia Tiranë thotë se në zonën që përmend Lulzim Basha nuk ka asnjë leje ndërtimi të lëshuar nga bashkia Tiranë.

“Vlen të theksohet se për çështjen e permendur as nuk ka leje ndërtimi, as nuk preket nga unaza e re. Pra, zona në fjalë nuk preket nga projekti i rrugës të Unazës së Re, pasi ndodhet në Njësinë Administrative nr. 7 dhe është një tentativë e mërzitshme për të ngatërruar një çështje me një tjetër”.

Më tej në reagim thuhet se, “plani i Përgjithshëm Vendor i çdo qyteti nuk përcakton gjurmët e rrugëve apo vijave ujore, por konceptet dhe drejtimet kryesore të këtyre zhvillimeve. Për përcaktimin e gjurmës së saktë të një rruge apo vije ujore duhet një analizë e mirëfilltë inxhinierike e bazuar në rilevimin e terrenit të zonës si dhe në analiza shkencore hidroteknike. Vetëm pas punës përgatitore inxhinierike mund të hartohet projekti teknik dhe projekti i zbatimit të cilët përcaktojnë me përpikmëri vendndodhjen e rrugës apo vijës ujore”.

Bashkia e Tiranes shton se ka kontraktuar hartimin e projektit të kësaj rruge, projekti i hartuar nga inxhinierë, pasi ka kaluar dhe oponencën teknike, është miratuar si projekti teknik i cili përcakton me saktësi gjurmën e rrugës pavarësisht orientimeve të Planit të Përgjithshëm Vendor. Është ky projekt që merr parasysh të gjithë analizën inxhinierike dhe hidroteknike të zonës i cili përcakton saktësisht gjurmën e rrugës e vijës ujore.

Bashkia thotë se Lulzim Basha do të mbahet mend si i vetmi kryetar i Bashkisë Tiranës në 100-vjeçarin e fundit që firmosi leje ndërtimi për shtesë kati mbi apartamentin e vet në kat të 13.

“Me këtë rast i bëjmë thirrje Lulzim Bashës të lirojë ashensorin e pallatit ku banon- gjithashtu hapësirë e përbashkët e të gjithë banorëve të pallatit që ai ka zaptuar ilegalisht me qëllim që të ngjitet me ashensor personal në pallatin me shtesë të paligjshme me pamje nga liqeni artificial. I bëjmë thirrje Lulit të ndalojë gjobat ndaj ndërtuesve – praktikë e njohur e mandatit Basha – pasi që prej 3 vitesh zhvilluesit e qytetit paguajnë një taksë rreth 8 herë më të lartë se ajo që paguanin gjatë mandatit Basha e nuk kanë takat të sajdisin edhe Jamarbërin, Joridën apo shokët e tjerë të partisë”.

Më Shumë