Politike

PD: Pr.buxhet i dështuar! Shkon për PPP dhe luks

gazetasi

Partia Demokratike identifikon pesë problematika kryesore në projekbuxhetin e vitit 2021 të propozuar nga Ministria e Financave.

Problematika e parë, sipas opozitës lidhet me rritjen e borxhit publik.

“Qeveria do të gllabërojë të gjithë vlerën e shtuar të ekonomisë me anë të huamarrjes, borxhit publik. Qeveria parashikon që PBB për vitin e ardhshëm do të rritet me 830 mln euro dhe planifikon deficitin ekonomik në 890 mln euro. Pra, e gjithë rritja ekonomike do të konsumohet nga tahmaja qeveritare për shpenzime joproduktive”, deklaroi përfaqësuesi i PD-së, Dorian Teliti.

Së dyti, PD e vlerëson si procedurë korruptive dhe të pashembullt në 3 dekada që procedurat e prokurimit për investime të parashikuara vitin e ardhshëm të nisin që në këtë vit, pa u miratuar më parë buxheti.

“Ligjërohet urdhri ‘kap ça t’kapësh’. Për të kryer sa më shumë tendera, për të kapur çdo qindarkë që ka mbetur në arkën e shtetit, për të prerë shiritat elektoralë, Qeveria për herë të parë në 30 vite autorizon që këtë vit kryerjen e procedurave të prokurimeve publike të parashikuara për vitin e ardhshëm, ende pa u çelur buxheti në janar të vitit 2021. Fondet nuk janë çelur, por institucionet le të prokurojnë me urgjencë, urdhëron Kryeministri Rama”, vijoi Teliti.

Së treti, PD thotë se buxheti nuk parashikon asnjë lehtësi për biznesin.

“Përkundrazi, rriten me 25 mln euro detyrimet shoqërore dhe shëndetësore për të”, tha Teliti.

Së katërti, PD thotë se në buxhet nuk parashikohet rritja e pensioneve dhe as rritja e ndihmës ekonomike për familjet në nevojë.

“Ky nuk është buxheti i njerëzve të thjeshtë, i të papunëve apo sipërmarrësve shqiptarë, por është buxheti i oligarkëve të PPP-ve dhe i qeveritarëve të shpenzimeve të luksit. 118 mln euro për PPP-të klienteliste dhe mbi 38 mln euro për rikonstruksione godinash, pajisje zyrash dhe blerje makinash. Me këto para do të mund të ndihmoheshin 1 mln shqiptarë për 3 muajt e parë të vitit 2021”, deklaron PD.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë