Lajme

PD përjashton Murrizin. Basha: Do rinisim protestat

Kryesia e Partisë Demokratike shkarkoi nga funksionet dhe anëtarësia e partisë deputetin e Qarkut Fier, Myslym Murrizi.

Ky vendim erdhi pasi Murrizi doli kundër vendimit të grupit të kryesisë dhe këshillit kombëtar për mandatet.

Murrizi është një nga dy deputetët e Partisë Demokratike që nuk ka nënshkruar dorëzimin e mandatit parlamentar së bashku me Rudina Hajdarin.

Deputeti i PD-së, ka qenë i palëkundur që në fillim për vendimin e tij për të mos ndjekur linjën e ashpër të opozitës për djegien e mandateve.

Ndërkohë, pas mbledhjes së kryesisë, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se është marrë vendim që protestat të shtrihen në të gjithë vendin, përfshirë dhe Tiranën. Ai tha se do të ngrihen shtabet politike që do të organizojnë punën, me qëllim për të larguar nga pushteti “Maduron e Ballkanit”, siç e cilësoi ai kryeministrin Rama.

“Do përcaktojmë një kalendar protestash popullore në gjithë vendin dhe në Tiranë, ku do marrim vendimet përkatëse për të larguar Maduron e Ballkanit nga regjimi i vendit. Është marrë vendim në lidhje me shtabet, që në bashkëpunim me partitë e tjera të opozitës së bashkuar, të nisim për protesta mbarëpopullore të fuqishme në mbarë vendin, – tha Basha. – Kryesia ka nisur edhe shpalosjen e programit ekonomik, si dhe vizionin e PD për çdo kategori për qytetarët shqiptarë, që t’i japim vendit vizionin tonë për të ardhmen europiane. Do ketë një tur protestash me një tur shprese për Shqipërinë. Gjithçka, në funksion të vizionit tonë për zgjedhje të parakohshme”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë