Lajme

PD padit prefekten e Tiranës për Kamzën: Uzurpoi kompetencat e pushtetit vendor

Partia Demokratike akuzon qeverinë se po thellohet në paligjshmërinë e saj duke uzurpuar bashkitë e vendit. Nënkryetari demokrat, Edmond Spaho doli në një konferencë për shtyp ku tha se me urdhër të Edi Ramës, prefekti i Tiranës ka marrë kompetencat e pushtetit lokal në Bashkinë e Kamzës.

“Këshilli Bashkiak i Kamzës ishte thirrur për konstituim në datën 14 Gusht nga Sekretari aktual i Këshillit, por, në shkelje flagrante të ligjit, Prefektja e Tiranës ka vendosur që e njëjta mbledhje të bëhet nesër, sepse Edi Ramës nuk i pritet që të pushtojë Bashkinë e Kamzës. Ligji i pushtetit lokal ia jep këtë kompetencë sekretarit aktual, por, megjithëse ai e ka ushtruar atë rregullisht, duke thirrur konstituimin e Këshillit Bashkiak të Kamzës brenda afatit, përfaqësuesja e Edi Ramës ka vendosur të cënojë autonominë e pushtetit lokal dhe të uzurpojë kompetencën e sekretarit të këshillit bashkiak”, tha Spaho.

Partia Demokratike e konsideron këtë një ndërhyrje flagrante të qeverisë në ushtrimin e kompetencave të pushtetit lokal dhe ka depozituar në Prokurori kallëzimin penal për Prefekten e Tiranës, Suzana Jahollari për shpërdorim detyre.

“Mbledhja e paligjshme e Këshillit Bashkiak të Kamzës është një rast më shumë që tregon se kryebashkiakët ilegjitimë të 30 Qershorit nuk do t’i shërbejnë interesit publik, nuk do të marrin vendime në interes të qytetarëve. Ata do të jenë vetëm disa kukulla të tjera në duart kriminale dhe hajdute të Edi Ramës”, mbylli deklaratën e tij nënkryetari i PD.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë