Mark Babani, kryebashkiaku i ri i Vaut të Dejës, sipas Partisë Demokratike, është dënuar në Itali për vjedhje makinash. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi, në një dalje për mediat nga selia blu, u shpreh se “lidhur me këtë, Edi Rama hesht megjithëse e di që rasti më i fundit, i denoncuar nga Partia Demokratike, Mark Babani, ka mashtruar me Formularin e Dekriminalizimit”. “Ai është një person me precedentë penalë, është një i dënuar në Itali dhe sipas ligjit nuk mund të ushtrojë asnjë funksion publik, përfshirë atë të kryetarit të Bashkisë”, u shpreh Bardhi.
Bardhi tha ndër të tjera se Mark Babani është arrestuar më datë 4 prill 1994 në zonën e Siçilisë me emrin e rremë Marq Babaj.
“Mark Babani, me emrin e rremë Marq Babaj, është arrestuar më datë 4 Prill 1994, në Itali, në zonën e Sicilisë, për kryerjen e veprës penale “Vjedhje në rrethana rënduese, e kryer në bashkëpunim”. Ai është arrestuar nga policia italiane duke vjedhur makina. Kandidati i Edi Ramës për Vaun e Dejës ka qenë pjesë e një grupi kriminal që vepronte në zonën e Sicilisë dhe që kishte kryer disa vjedhje.
Mark Babani alias Marq Babaj ka qëndruar në burg deri më datën 6 Maj 1994 dhe më pas është dënuar dhe dëbuar nga shteti italian.
Kjo është vetëm një pjesë e dosjes kriminale të kandidatit të Edi Ramës për Vaun e Dejës”, tha ndër të tjera sekretari i Përgjithshëm i PD-së.



Gjatë fjalës së tij, Bardhi akuzoi kryeministrin Rama se po mbron Mark Babanin ashtu si kryebashkiakët e tjerë, Pjetrin dhe Kajmakun.
“Mark Babani është në dijeni të plotë të faktit se është një person me rekorde të shumëfishta kriminale. Mashtrimi i tij publik se nuk ka pasur asnjëherë probleme me drejtësinë, provon se ai ka mbrojtjen e Edi Ramës.
Me heshtjen e tij, Edi Rama provoi se është vërtetë ai mbrojtësi i Mark Babanit, me kandidimin e të cilit tregoi edhe njëherë se është i lidhur pazgjidhshmërisht me krimin. Partia Demokratike i kërkon organit të prokurorisë të veprojë menjëherë ndaj Mark Babanit dhe të zbatojë ligjin e Dekriminalizimit”, përfundoi Bardhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.