Politike

PD nuk komentoi çmimin për Dvoranin, por Basha zhvilloi një takim “të shkëlqyer” me Yuri Kim

Partia Demokratike nuk komentoi zyrtarisht çmimin që DASH i akordoi gjyqtarit Ardian Dvorani si kampion në luftën kundër korrupsionit, por vetëm dy ditë më pas, kryetari i demokratëve, Lulzim Basha zhvilloi një takim pozitiv me Ambasadoren e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, periudhë kjo që përkoi edhe me zyrtarizimin e koalicionit opozitar.

“Sot pata një takim të shkëlqyer me Lulzim Bashën. E lumtur të dëgjoja programin zgjedhor të PD dhe aleatëve. Unë nënvizova pritshmërite e SHBA për kandidatë të pastër nga të gjitha partitë. Ne gjithmonë do të jemi të përkushtuar në marrëdhënie të forta mes SHBA-ve dhe Shqipërisë, me respekt për vendimin e votuesve më 25 Prill”, komentoi ambasadorja amerikane në Twitter.

Vetëm pak minuta më pas reagoi edhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha.  

“Kënaqësi e madhe të takohem sot me ambasadoren amerikane Yuri Kim. Ndava me të planin e Partisë Demokratike për Shqipërinë dhe nevojën për mbështetje amerikane dhe një bashkëpunim të fortë për të rritur zhvillimin ekonomik, për të tërhequr investime amerikane dhe për të forcuar luftën kundër krimit dhe korrupsionit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë