Politike

PD nis përgatitjen për protestën e 16 shkurtit, Paloka: Të reagojmë

Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka i ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në shesh për të rrëzuar qeverinë e Edi Ramës më 16 shkurt, pasi të gjitha janë prekur nga vendimet e këtij kryeministri, qoftë me taksat e larta, gjobat, varfërinë.

Ai tha se e vetmja gjuhë që Kryeministri kupton është ajo e protestës. “Kryeministri, e vetmja gjuhë që kupton është ajo e protestës. Nëse qytetarët nuk reagojnë, çdo gjë do të shkojë keq e më keq. Qëllimi që ne po thërrasim qytetarët, të bashkohen të gjithë, ata që kanë një hall, ata që shohin t’u rriten taksat, ata që shikojnë që varfërohen, - u shpreh nënkryetari demokrat. - Besoj kaq na e dhanë edhe studentët dhe protestuesit e Astirit. Kushdo që ka një hall duhet të ngrihet dhe të protestojë ndaj Edi Ramës, pasi nëse nuk ngrihemi ky do të vazhdojë të tallet, të bëjë arrogantin dhe ne do të vazhdojmë të bëhemi keq e më keq dhe do t’i shohim fëmijët tanë të vazhdojnë rrugën e emigrimit”, tha Paloka.

Deklarata e Palokës ka ardhur pas përfundimit të mbledhjes së Grupit të PD, nga ku mësohet se për të organizuar protestat janë deleguar një anëtar i partisë dhe një deputet i çdo zone.

Në mungesë të kryedemokratit Basha, mbledhjen e grupit të PD e ka drejtuar Edmond Spaho, ndërsa janë ndarë deputetët që do të merren me organizimin e protestës.

Disa nga emrat që janë mësuar se do të drejtojnë përgatitjet, janë: Aldo Bumçi, Gazment Bardhi, Albana Vokshi, Jorida Tabaku dhe Grida Duma për Tiranën. Ndërkohë në Fier është caktuar Enkelejd Alibeaj dhe në qarkun e Shkodrës, deputeti Flamur Noka.

Opozita ka vendosur të zhvillojë një protestë kombëtare në 16 shkurt, ku sipas saj do të shënojë numërimin së prapthi për rrëzimin e qeverisë Rama nga pushteti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë