Në prezantimin e programit “Drejtësia që duam”, në një skenografi tashmë të njohur, me në fokus drejtësinë e re, kryeministri Edi Rama nuk i kurseu akuzat dhe sulmet për opozitën. Kreu i qeverisë theksoi se drejtësia e re nuk ndërtohet me drapër e çekan as me dënime partie, por me një veprim të thellë demokratik. Gjatë fjalës së tij, kryeministri nuk la pa sulmuar krerët e opozitës së bashkuar dhe presidentin Ilir Meta duke thënë se po kërcënojnë fatin e reformës në drejtësi.
"Koalicioni opozitar kundër drejtësisë, për t'i nxjerrë nga ajo çadra katër vite më parë u dhanë vende në qeveri e poste duke iu ardhur pas avazit vetëm që të ktheheshin në kuvend për të votuar vettingun dhe vetëm pastaj të hynin në zgjedhje, ju mund të thoni po mirë, po ja ikën 4 vjet që kur ta dhamë timonin dhe kush dreqi është futur në burg nga ata që ju e dini dhe unë e di. Kush e ka menduar se vota për vetting dhe vetë vettingu do çonin njerëz në burg, duhet ta dijë që vettingu është vetëm hallk e parë, fshesa e drejtësisë, është e vetmja rrugë që duhet vazhduar me këmbëngulje për ta pasur nesër drejtësinë që duhet. Meta dhe Berisha më të frikësuarit nga drejtësia, mbështetën nga prokurorë e gjyqtarë që janë fshirë nga vettingut dhe ato të korruptuarit deri sa t'u vijë fshesa e vetingut, PD-LSI dhe KCK janë tre këmbët e së keqes me dy koka presidencës që kërkonin fatin e reformës në drejtësi. Nëse do votoni për PD-LSi se po votoni për ndryshimin apo se nuk doni që të më votoni mua, do bëni një gabim fatal", tha Rama.
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë u shpreh se 25 prilli është dita e udhëkryqit të madh për fatin e drejtësisë. Rama theksoi se PS nuk është as kishë e as xhami është një mision që vazhdon pa u ndalur i pa krahasueshëm me të tjerët në fushën e ndeshjes.
“Ju na keni dhënë një mbështetje të madhe dhe mund të keni shkaqe të drejta për t’u ndjerë të zhgënjyer, mund të jeni të pamotivuar të dëgjoni për gjëra që kemi bërë apo do bëjmë sepse vajza, shoku apo shoqja juaj ka ikur nga Shqipëria pasi nuk e gjeti atë që kërkoi këtu, apo sepse rruga mund të jetë akoma siç ishte që kur nuk mbahet mend, apo se nuk keni ujë 24 orë e dritat mund të ikin akoma.
25 prilli është dita e udhëkryqit të madh për fatin e drejtësisë që të gjithë duam. Nuk jam i dërguari i Zotit në tokë, as engjëll nuk jam. PS, unë vetë nuk jemi një zgjidhje ideale në këtë udhëkryq, nuk jemi pa të meta, janë sa të duash njerëzit e zakonshëm të këtij vendi që të paktën një herë nuk e kanë marrë shërbimin që kanë kërkuar. Nuk jemi as pyll pa derra, se batakçinj e pisanjos ka pasur e ka akoma, në zyrat e këtij shteti, por PS nuk është as kishë e as xhami, është një mision që vazhdon pa u ndalur e i pa krahasueshëm në fushën e ndeshjes”- u shpreh Rama, ndërsa komentoi edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve ndaj qeverisë që ai drejton.
“Shumë kush nuk e kupton pse partnerët tanë bëjnë deklarata pro qeverisë apo pro meje. Nuk kanë ata asnjë arsye të marrin anë dhe nuk është në karakterin e tyre. Ka vetëm një arsye të madhe e të qartë për mbështetjen e tyre, që shpesh përqeshet si mbështetje për ne: Reforma në drejtësi dhe e ardhmja e drejtësisë në Shqipëri. Gjërat po lëvizin jo aq shumë e shpejt, sa do të dëshironit, por po lëvizin. SPAK është futur në lëvizje” – vijoi Rama, ndërsa mori si shembull, rastin e gjyqtares Enkeleda Hoxha si edhe të kardiokirurgut Edvin Prifti.
“PS dhe unë vetë s’jemi zgjidhja ideale dhe pa të meta kemi bërë gabime që i dimë. Kjo forcë është më mbështetësja e reformës dhe të së ardhmes së saj. Gjërat nuk kanë qëndruar në vend në drejtësi. Jo aq shpejt sa dëshiroj unë, por gjërat po lëvizin, SPAK është futur në veprim rasti më i freskët i asaj gjyqtares së Krujës që ishte kokë e këmbë me krimin, nga një karshillëk përbuzës ndaj një popullit të tërë.
E rrethuar nga një servis lugësh që hanin korrupsionin më të pistë në shërbim të të dënuarve për krime të rënda. Rasti tjetër i shefit të pavijonit që caktonte radhën me para për të hyrë në operacion. Deri dje ka patur vetëm goditje sporadike, jemi të bindur që ky është vetëm fillimi i një rruge të re, por do ta ketë gjithnjë e më shumë përmasën e pritshmërisë tuaj dhe gjithnjë më pak trajtën e banalitetit që na ka plasur shpirtin përballë pallatit qorr përballë drejtësisë”, tha ai.
Gjatë prezantimit, kryeministri ka zbuluar edhe ekipin drejtues të kryeqytetit. Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, do të jetë në krye të listës së Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës për zgjedhjet e 25 prillit, një mesazh i PS-së për vlerësim për punën në reformën në drejtësi. Sakaq në Tiranë do të rikandojë Klotilda Bushka. Ndërsa për herë të parë do të kandidojë prefekti i Tiranës, Toni Gogu.
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj tha se ajo që e bën bashkë opozitën është frika ndaj Reformën së Drejtësi duke bërë edhe një bilanc të kësaj reforme. “Reforma në drejtësi, një ide e kthyer një vizon nga PS, është një realitet. Kjo reformë solli dritë në fund të tunelit, përmes kësaj reforme kemi hedhur themele të forta njëherë e përgjithmonë për pastrimin e gjyqësori. Shumëkush mendon që gjyqtarët dhe prokurorët ishin imun, por ja që këta të korruptuarit po largohen. 340 prokurorë e gjyqtarë kanë kaluar në veting, 58% e tyre janë larguar”, tha Gjonaj.
Gjatë aktivitetit për prezantimin e programit për drejtësinë, kryeministri njoftoi largimin nga PS të deputetes Vasilika Hysi, ku bën pjesë që prej vitit 2009. Kryeministri Rama, duke vlerësuar kontributin e Hysit, tha se i vjen keq për debatet për kriminelët në politike, një problem që sipas tij ka ekzistuar, por që ka hijezuar kontributin e shumë figurave të jashtëzakonshme.
Kryeministri Edi Rama u ndal edhe te elektorati gri, duke u bërë thirrje që të marrë pjesë në votimet e 25 prillit. Në të gjitha sondazhet e deritanishme, ky elektorat vazhdon të jetë përcaktues për fatet e zgjedhjeve.
“Ju them të gjithë të pavendosurve, të pakënaqurve se në 25 prill do të vendoset për fatin e drejtësisë. Fatin e drejtësisë, i cili dukej i shënjuar një herë e mirë deri kur ne ndërmorëm me kurajo rrugën me plotë të panjohura të kësaj reforme. Do të vendoset se si do ta kenë fytyrën nesër gjykatat, prokuroritë, jo në 4 vitet e ardhshme, por në dekadat e ardhshme", tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.