Politike

Basha: Pas 25 Prillit, do jemi të hapur para drejtësisë

Kryeministri Edi Rama u fokusua gjatë tek drejtësia dhe roli i saj, ndërsa kryetari i opozitës, Lulzim Basha, doli në një deklaratë për mediat lidhur me raportin e DASH për luftën kundër pastrimit të parave, por edhe për të premtuar se në rast fitoreje të 25 Prillit,  “PD do ta çlirojë drejtësinë”

“Sot e keni të zezë mbi të bardhë në raportin e DASH. Qeveria e Shqipërisë nuk bëri asnjë përparim të dukshëm. Shkak për situatën dramatike të pastrimit të parave është vetëm një qeveria e dështuar dhe e korruptuar e Edi Ramës.

Shkak për pengesën është korrupsioni qeveritar. Këtë e ndjeni në kurrizin tuaj. Nuk ka nevojë të kujtoj përgjimet e antiamafias italiane. Raporti i DASH thotë qartë se investimet në pasuritë e paluajtshme janë në metodat më të përhapura të pastrimit të parave”, tha Basha.

Sipas tij, korrupsioni qeveritar është nyja që i mban të lidhura bashkë.

“Rama dhe bashkëpunëtorët e tij në kohën e pandemisë vodhën me tendera sekretë ushqimet e njerëzve. Sot SPAK ka marrë të pandehur zyrtarë të nivelit të dytë për akuzën që në kulmin e pandemisë, kjo qeveri bëri atë që ka bërë çdo ditë këto 8 vjet ka vjedhur dhe shpërdoruar paratë e shqiptarëve.

Ky është shkaku i krizës, paralizës së biznesit, sipërmarrjes. Më 25 prill kjo do të ndryshojë. Vota juaj është garancia për ndryshim.

Duke nisur nga unë i pari, kryeministri i ardhshëm do jemi të hapur para drejtësisë. Do të çlirojmë duart e drejtësisë për t’i vënë prangat të korruptuarve”, tha Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë