Lajme

PD kërkon shkarkimin e Gjinushit: Ngacmoi seksualisht gazetaren

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi ka kërkuar shkarkimin e kreut të Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushit, pasi ky i fundit ofendoi një gazetare.

Sipas Vokshit Gjinushi ngacmoi seksualisht një gazetare me përvojë ndaj nuk duhej lejuar fare të hynte në Akademi.

“Të shkarkohet Skënder Gjinushi për aktin e turpshëm ndaj gazetares Mema, e cila u intimidua, u fye dhe u ngacmua seksualisht nga Skënder Gjinushi, gjatë një transmetimi live, pak minuta pas zgjedhjes Kryetar i Akademisë së Shkencave, me votë të urdhëruar direkt nga Kryeministri Edi Rama. E turpshme, e papranueshme, e dënueshme sjellja intimiduese dhe fyese e ish ministrit të diktaturës Skënder Gjinushi, - shkruan Vokshi në një reagim në “Facebook”. – Në një vend normal, demokratik, Skënder Gjinushi sot, nuk do ishte lejuar të hynte në Akademi. Ministër i diktaturës, me fjalor dhe akte perverse si sistemi diktatorial që i prodhoi, nuk mund e nuk duhet të jetë as anëtar, e jo më të drejtojë Institucionin më të lartë shkencor në Shqipëri”.

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe kryetarja e Grupit Parlamentar të Demokratëve në Kuvend, Rudina Hajdari, e cila ka reaguar pas zgjedhjes së Skëndër Gjinushit në krye të Akademisë së Shkencave.

Hajdari, në një status në “Facebook” ka dënuar ashpër qëndrimin e Gjinushit, që sipas saj ushtroi dhunë verbale dhe seksist ndaj një gazetarje të re.

“Kryetari uzurpues i Akademisë se Shkencave i nisi minutat e para të karrierës së tij me dhunimin verbal seksist të një gazetareje të re. I paligjshëm nga takat e këpucëve deri te flokët ai uzurpoi A.SH. si kryetar partie politike nëpërmjet një truku me K.M, duke i falur atij partinë për zgjedhjet e 30 Qershorit dhe Rama i fali akademinë e paralizuar me anëtarë me statuse joligjore, si çerdhe e shkaterrimit të historisë dhe albanologjisë, per të mos përmendur shkencat inekzistente të sakta”, - thotë Hajdari.

Deputetja akuzon edhe kryeministrin Rama se i ka falur fali Gjinushit Akademinë e Shkencave, pasi ai i fundit i fali partinë për zgjedhjet e 30 qershorit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë