Politike

KAS i jep të drejtë PD: Të regjistrohen 222 kandidatë

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve i ka dhënë të drejtë Partisë Demokratike, duke rrëzuar vendimin e Ilirjan Celibashit, që i shkurtoi listat me kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit.

KAS ka vendosur me shumicë votash që të rrëzojë vendimin e Celibashit dhe të urdhërojë regjistrimin e 222 kandidatëve, siç u dorëzuan fillimisht nga ana e Partisë Demokratike dhe koalicioni që ajo drejton.

Seanca dëgjimore nuk kaloi pa debate. Partia Demokratike mbrojti para Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve leximin dhe interpretimin që i bën dispozitave të Kodit Zgjedhor që përcaktojnë numrin e kandidatëve për deputetë në listat shumëemërore.

Opozita u mbrojt para KAS-it nga përfaqësuesi i saj, Ivi Kaso, që kërkoi pranimin e ankimit dhe ndryshimin e vendimit të Komisionerit Ilirjan Celibashi, që i shkurtoi listat e kandidatëve dhe regjistrimin e listave sipas dorëzimit të bërë prej saj.

Sipas interpretimit që i bën opozita, Kodi Zgjedhor parashikon vetëm një numër minimal kandidatësh për çdo zonë zgjedhore, por jo numër tavan.

“Kodi zgjedhor nuk parashikon një numër maksimal për kandidaturat, por përcakton numrin e deputetëve që ka një zonë zgjedhore, plus dy. Kriteri tjetër që lidhet me zbatimin e kriterit për kuotën e gjinisë së nënpërfaqësuar është që numri i kandidatëve duhet të jetë i plotëpjestueshëm me numrin tre”, deklaroi Ivi Kaso.

Përfaqësuesi demokrat iu referua nenit 67 të Kodit Zgjedhor.

Por, si palë e interesuar në këtë proces, Partia Socialiste e kundërshtoi, duke deklaruar se leximi që opozita i bën Kodit Zgjedhor është i gabuar dhe se numri i lartë i kandidatëve cenon pjesën e ligjit që ka të bëjë me hapjen e listave.

“Numri i lartë i kandidatëve heq mundësinë për aplikimin e parashikimeve për listat e hapura, sepse numri i lartë redukton mundësinë për marrjen e 10 mijë votave nga kandidatët që renditet le të themi, poshtë vijës së kuqe”, deklaroi përfaqësuesi i PS-së në këtë seancë, Eridian Salianji.

Salianji u shpreh se numri i lartë i kandidatëve që dorëzoi PD është pasqyrë e sherrit të brendshëm të koalicionit të drejtuar prej kësaj partie, që nuk duhej transferuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

“Kjo listë me numër tej numrit ligjor ka si shkak koalicionin, por sherri që ka PD me partitë e koalicionit s’mund të transferohet në KQZ. koalicioni ndërtohet mbi rregulla dhe duhet të zbatojë ligjin. Tjetra është se gënjen aleatët duke çuar një listë më të madhe dhe duke u hequr atyre mundësinë që të kapin herësin”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë