Editorial

Lista e PD, tani 3 milionë shqiptarë kandidatë në zgjedhje

Vendimi i Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve për të pranuar listën e fryrë të PD-së, jo vetëm rrezikon të fusë në kaos procesin zgjedhor, por i hap rrugë një problematike në të ardhmen ku potencialisht partitë mund të rregjistrojnë me qindra kandidatë në zgjedhjet e ardhshme, madje shifra mund të shkojë edhe çdo shqiptar një kandidat.
Kodi Zgjedhor vendos dyshemenë sa u përket listave të zgjedhësve, ku nuk duhet të ketë më pak kandidatë se sa numri i mandateve për qark, plus 2 emra shtesë. Por kjo bëhet për të respektuar një tjetër kërkesë të ligjit, atë të përfaqësimit gjinor në listat e kandidatëve, ku shtesa prej maksimumi dy emrash në listë e bën atë të përpjestueshëm për të garantuar barazinë ligjore. Kufizimin e listave e ka bërë po ligji kur ka përcaktuar numrin e mandateve.
Argumenti që Kodi nuk ka tavan që ndalon kandidatët në lista dhe se listat e hapura e garantojnë këtë, janë vetëm arsyetime për të çuar në ngërç procesin, fletën e votimit dhe konfonduar votuesin. Me këtë argument kandidatët në zgjedhje mund të jenë disa qindra për parti dhe në total mund të arrijnë teorikisht edhe 3 milionë vetë, aq sa shqiptarë numërohen në vend dhe nëpër botë që plotësojnë kushtet për të kandiduar në zgjedhje.
Lista e PD me 222 kandidatë u bë objekt humori të zi këto javë, duke nisur edhe nga stigmatizimi që Lulzim Bashës i bëjnë dhe i kanë bërë dikur kundërshtarët, ish-kundërshtarët, tani aleatë dhe spotet televizive të emisioneve të humorit për premtimin që i ka bërë kujtdo në të shkuarën se do ta fusë në listën e deputetëve. Lulzim Basha veç kësaj, mund të ketë edhe arsyet e tij politike, sepse duke plotësuar çdo kërkesë për të pasur në lista sa më shumë njerëz, bën sa më pak të pakënaqur brenda partisë së tij dhe shpreson se gjithësesici do të sjellë sadopak vota për të shtuar në thesin e PD dhe rritur shanset për mandate qark për qark.
Por kjo nuk mund të kthehet në një normë sot dhe nesër që fleta e votimit të kthehet në libër, sepse Kujtim Gjuzi, përshembull, me këtë precedent, mund të vendosë të fusë në listën e kandidatëve në Tiranë të gjithë familjen, shoqërinë dhe ta bëjë atë me 72 kandidatë për 36 mandate. Monika Kryemadhi nga ana tjetër të vendosë të gjithë listën e antarësisë së LSI-së së Tiranës dhe gjysmën e intelektualëve, që të sigurojë votat e tyre dhe të familjarëve të tyre. Edi Rama ta mbushë listën jo vetëm me anëtarët e PS-së, por edhe me gjithë listën e administratës qëndrore dhe atë të Bashkive.
Nëse 11 parti dhe koalicione dërgojnë në KQZ listën me kandidatë për qark aq sa mandate prodhon ai qark, duke shtuar vetëm dy të tjerë, për hir të respektimit të herësit zgjedhor për respektimin e kuotave gjinore dhe PD me koalicionin e saj dërgon një listë me dhjetëra kandidatë më tepër, kjo tregon se në këtë rast ka një problem politik dhe logjik në kuptimin e ligjit.
Nëse Sali Berisha shpiku vite më parë shprehjen për leximin e ligjit jo vetëm në nen, në gërme, por edhe në frymë, KAS, me vendimin e tij, në rastin më të mirë, tregoi se përton ta lexojë në të treja këto komponentë, për të dalë me një qëndrim korrekt, por ka vendosur të lexojë vetëm gërmën, duke anashkaluar nenin dhe frymën. Në rastin më të keq, nëse anëtarët e KAS kanë vendosur duke respektuar më shumë argumentin politik dhe jo ligjin, atëherë zgjedhjet nuk janë më të barabarta që tani. Frika se me rrëzimin e ankesës së PD në kurriz të 11 partive dhe koalicioneve të tjera, nëse nuk është shkelje e ligjit është anësi politike bazuar mbi shtigje ekstraligjore për të mos i dhënë argument një partie që të kontestojë nesër rezultatin nëse humbet zgjedhjet, apo që të mos tërhiqet prej tyre. Cilidoqoftë ai është cenim i garës. Shqipëria nuk ka nevojë që të aplikojë fermën e Oruellit edhe në zgjedhje, kur vetë partitë, përfshirë edhe PD, përditë na thonë se po luftojnë që të gjithë nesër do të trajtohen njësoj, dhe nuk do të ketë kafshë më të barabarta se të tjerat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë