Politike

Miratimi i fletës së votimit në dorë të Kolegjit, qytetarët zgjedhin modelin me emrat e kandidatëve

Kolegji Zgjedhor i riformatuar sipas marrëveshjes së 5 qershorit mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike do të vihet në testin e parë ende pa nisur zyrtarisht fushata zgjedhore.

Partia Socialiste njoftoi se do të apelojë te kjo trupë gjyqtarësh vendimin e së martës të Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve që i dha të drejtë Partisë Demokratike për të regjistruar 222 emra në listat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 25 prillit.

Sipas parashikimeve të Kodit Zgjedhor, ankimimi i PS-së duhet të dorëzohet brenda 5 ditëve. Kolegji më pas duhet të njihet me kërkesë-padinë brenda 24 orëve nga marrja e saj dhe brenda dhjetë ditëve duhet të dalë me një vendim, që është i formës së prerë dhe duhet të zbardhet jo më vonë se tre ditë nga data e dhënies së tij.

Kjo do të thotë se nisja edhe zyrtarisht e fushatës do të gjejë palët rivale në garën e 25 prillit në dyert e gjykatave, duke sinjalizuar se as 5 qershori nuk e zgjidhi mosbesimin e madh që ekziston mes tyre. Përveç kësaj, në varësi të kohës që do të marrë Kolegji për të dalë me një vendim është edhe miratimi i fletës së votimit nga ana e KQZ-së. Kjo do të thotë se ky proces mund të kërkojë edhe më shumë se dhjetë ditë kohë.

Aktualisht, vetë KQZ është në proces konsultimi për përzgjedhjen e njërit prej katër modeleve që ka në shqyrtim. E për të pasur një “mendje të tretë” u është drejtuar edhe rrjeteve sociale. Përmes Facebook, KQZ ka hapur anketa ku fton ndjekësit që të japin pëlqimin e tyre për njërën nga fletët e votimit.

Nga një vështrim paraprak i komenteve dhe mendimeve të dhëna nga rreth 160 komentues, deri para mesditës së të mërkurës, modeli numër tre i fletës së votimit, ku veç partisë në fletë kandidatët paraqiten me emra dhe jo me numra është më e preferuara, ndjekur më pas nga modeli numër 1, ku kandidatët paraqiten me numra e që vlerësohet si më i thjeshti nga qytetarët.

Anketa është hapur nga KQZ pasditen e së martës dhe do të zgjasë 7 ditë duke filluar prej hapjes. Kjo nënkupton se miratimi i fletës së votimit mund të mbërrijë në rastin më të mirë nga fundi i javës tjetër, duke pritur edhe vendimin e Kolegjit Zgjedhor për ankimimin e Partisë Socialiste.

Kjo trupë gjyqësore është produkt i marrëveshjes së 5 qershorit dhe ndryshimeve në Kodin Zgjedhor që prodhoi kjo marrëveshje. Ajo përbëhet nga 8 gjyqtarë që kanë kaluar vettingun dhe të përzgjedhur me short që në shtator të vitit të kaluar.

Anëtarët janë Sokol Ibi, Emona Muçi, Asim Vokshi, Gentian Medja, Esmeralda Çeka, Alma Kolgjoka, Manjola Xhaxho dhe Edlira Petri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë