Politike

PD kallëzon Veliajn: 6500 euro për një pishë të thatë në autostradë

Partia Demokratike ka depozituar në Prokurori një kallëzim penal kundër kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, të cilin e akuzon për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera.

Akuza e PD-së dhe dorëzimi i kallëzimit penal në Prokurori u bë publike nga deputeti Klevis Balliu, që thotë se shkeljet janë bërë për të favorizuar të njëjtën kompani që po përdorin për të grabitur tokën publike tek Teatri Kombëtar.

“Erion Veliaj ka shkelur ligjin në mënyrë flagrante për t’i dhënë miliona euro të tjera kompanisë “Fusha”, të njëjtës kompani që zgjodhën për të vjedhur tek Sheshi Skenderbej, të njëjtës kompani që po përdorin për të grabitur tokën e Teatrit Kombëtar për të ndërtuar kullat me paratë e drogës dhe korrupsionit”, deklaroi ai.

Deputeti demokrat akuzon kryebashkiakun e Tiranës se i ka dhënë pa garë 2.6 milionë euro kompanisë “Fusha sh.p.k” për blerjen e 400 pishave.

“Për t’i dhënë “Fushës” 2.6 milionë euro, Erion Veliaj ka pranuar që një pishë të blihet me një vlerë marramendëse 6 500 euro copa. Me 2.6 milionë euro Erion Veliaj mund të kishte ndërtuar një shkollë të standarteve më të mira, me pajisje të kohës, laboratorë dhe palestër, por ai zgjodhi të blejë pisha, disa prej të cilave janë tharë, të tjera janë prerë nga vete bashkia, edhe pse kanë kushtuar 6 500 euro copa”, shtoi deputeti demokrat.

Sipas Klevis Balliut, në Prokuroria janë paraqitur prova filmike dhe fotografi që tregojnë prerjen dhe tharjen e pishave, ashtu si palmat në autostradën Tiranë-Durrës dhe akuzon Bashkinë se po hesht për këtë.

PD thotë se në më pak se 3 vjet, kompania Fusha ka përfituar 25 milionë euro nga Bashkia e Tiranës, gjysmën e të cilave thotë se janë dhënë në tendera pa garë.

Lidhjen mes Fushës dhe Bashkisë së Tiranës, Klevis Balliu e gjen edhe në Prokurori dhe i bën thirrje organit të akuzës që të mos pengojë hetimin e denoncimit në fjalë.

“Pronari i kompanisë Fusha, Shkëlqim Fusha është familjar i afërt me Petrit Fushën që, deri dje, drejtonte Prokurorinë e Tiranës dhe mbylli dosjen e Ardit Gjoklaj, ku Bashkia kishte përgjegjësi penale. Pas kësaj, Edi Rama dhe Erion Veliaj i dhanë Shkëlqim Fushës ndërtimin e sheshit Skënderbej dhe parkingut privat atje. Edhe sa para duhet të paguajnë qytetarët e Tiranës që Veliaj të lajë borxhin me Fushajt në kurriz të drejtësisë për Arditin dhe duke vjedhur shqiptarët?!”, thotë në deklaratën e tij, deputeti Balliu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë