Politike

PD i përgjigjet Ramës: Zgjedhje më 30 qershor s’ka për të pasur

Partia Demokratike reagon ndaj deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili nga salla e Parlamentit shprehu vullnetin e plotë se më 30 qershor do të mbahen zgjedhjet lokale, duke i kujtuar opozitës se nuk mund ta ndalojnë një proces të tillë.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi nga selia blu në përgjigje të qëndrimeve të kryeministrit u shpreh se “kërcënimet e një kufome politike si Edi Rama nuk trembin askënd! E vetmja rrugë e drejtë për Shqipërinë si Europa janë zgjedhjet e lira e të ndershme!”

“Edi Rama, i keqpërdoruri i tij dhe i krimit, Taulant Balla, si dhe çdo shërbëtor tjetër i tij brenda dhe jashtë Parlamentit të krimit, e dinë fare mirë se zgjedhje më 30 Qershor nuk ka për të pasur. Një qeveri ilegjitime, me një kryeministër ilegjitim, që brenda pak viteve e shndërroi Shqipërinë në një narkoshtet, nuk mund të organizojë zgjedhje të lira e të ndershme. Alternativa e vetme e Edi Ramës sot është sulmi kundër opozitës dhe qytetarëve! Është gazi lotsjellës në protesta, është gazi lotsjellës për të nxjerrë njerëzit nga shtëpitë, është falimentimi për bizneset, janë taksat vrastare për fermerët, janë mashtrimet për studentët, është papunësia për të rinjtë. Nuk ka asnjë ide, asnjë program, asnjë punë me interes publik. Edhe kur nis të bëjë një punë, Edi Ramën nuk e drejton vizioni dhe ligji, por korrupsioni dhe antiligji. Pasi ka vjedhur votat, vjedh edhe taksat.

"Në qeverinë e Edi Ramës 1 kilometër rrugë kushton 20 milionë euro. Qeveria dhe kryeministri nuk kujdesen për shqiptarët, por për krimenelët që janë brenda dhe jashtë burgjeve" , deklaroi Bardhi.
“Prioritet për Ramën janë një grusht oligarkësh dhe klientësh të oborrit të familjes së Edi Ramës, të cilët kanë kapur ekonominë, janë pasuruar me PPP dhe koncesione, duke e bërë më të rëndë jetën e shqiptarëve. Të gjithë këta janë të paprekshëm, sepse Edi Rama ka kapur edhe drejtësinë. Asnjë i ndëshkuar për vjedhjen e votave. Asnjë i dënuar për korrupsion. Asnjë i dënuar për lidhjet direkte të provuara me krimin e organizuar dhe trafikantë të dënuar droge”, theksoi Bardhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë