Politike

PD e ‘Rithemelimit’ i kthehet rastit ‘Beleri’: Cështja duhet pushuar, dëshmitari kundër tij u pagua nga Policia   

Pas kërkesës për pushimin e cështjes ndaj Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit, Partia Demokratike e Rithemelimit kërkon të njëjtën masë edhe për rastin e Fredi Belerit. Edhe pse argumenti në këtë rast është i ndryshëm. Sekretarit për Çështjet Ligjore në PD, Ivi Kaso, tha se, “padia dhe procesi kundër Fredi Belerit, të cilën Partia Demokratike e ka konsideruar që në nisje si politik dhe të stisur, ra përfundimisht dje, në seancën e zhvilluar në SPAK”.

“Në këtë seancë u bënë disa pohime kyçe për çështjen, të cilat jo vetëm rrëzojnë akuzën, por edhe e vendosin Prokurorinë në pozitat e një aksesori të qeverisë dhe orekseve politike të saj.

Kështu, i etiketuari si bashkëpunëtor i drejtësisë, Arsen Ramaj, që ka shërbyer si ‘agjent provokator’ i kandidatit të opozitës për Himarën, e pranoi dje se është paguar nga policia e Shtetit për bashkëpunimin dhe kurthin e z. Beleri, që ka çuar në arrestimin e këtij të fundit.

Së dyti, shefi i Komisariatit te Vlorës, Ermal Hajdini, ish Shef Policie në Himarë gjate zgjedhjeve të 14 majit, pranoi dje botërisht se ka instruktuar dhe përdorur kallëzuesin, Arsen Ramaj sa u takon veprimeve dhe bisedave qe duhej të bënte me z.Beleri.

z. Hajdini pohoi gjithashtu faktin se Arsen Rama është paguar nga Policia e Shtetit.

Partia Demokratike është e bindur se këto dëshmi e rrëzojnë përfundimisht procesin politik ndaj kandidatit të opozitës për Bashkinë Himarë. Kodi Penal në nenin 294/a pika 3 e thotë qartë:

‘Nuk duhet provokuar një akt kriminal, duke shtyrë një person të kryejë një krim, të cilin nuk do ta kishte kryer po të mos ishte ndërhyrja e Policisë. Kur provohet provokimi, rezultati nuk mund të përdoret’.

Siç del nga dëshmitë, edhe të provokatorit edhe të cytësve të tij, gjithçka ndaj Belerit ka qenë e programuar. Në këto kushte sipas ligjit shqiptar, të bazuar në traditat më të mira legjislative të botës së qytetëruar, akuza bie dhe çështja pushon”, tha Kaso.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë