Politike

PD e mbylli ende pa filluar, PS ia beson analizën një komisioni të posaçëm në shtator

Partia Demokratike e mbylli ende pa e filluar analizën e humbjes së zgjedhjeve.

PS-ja, në nën tjetër me mandatin e tretë të fituar, pritet ta fillojë analizën zyrtarisht në Shtator, për ta mbyllur në muajin Janar.  

Arben Pëllumbi, sekretar organizativ i PS tha se analiza do të prekë çdo qelizë të strukturave.

“Partia Socialiste është në fazën e konstituimit të komisionit të posaçëm i cili do të merret me përgatitjen e metodikës e cila do të bëhet e gjithë analiza që të kemi një standard analitik në të gjithë territorin e vendit. Jemi duke diskutuar faktin nëse në një zonë do të jetë drejtuesi i qarkut ai i cili do të mbikëqyrë procesin apo do të delegojmë dikë tjetër

Nga 15 Shtatori deri në 15 Nëntor neve kemi procesin e analizës në çdo qelizë dhe njëkohësisht të zgjedhjeve, pas 15 Nëntorit kalojmë në një rang më të lartë, kalojmë në nivelin e njësisë administrative, në nivel bashkie dhe me pas në nivel qarku, për ta përfunduar në mes të Janarit”, tha Pëllumbi

“Duhet të ndërtojmë një metodikë që të bëjmë analizën e gjithë situatës sepse jo kudo kanë funksionuar dhe kanë ndikuar të njëjtët faktorë dhe të njëjtat procese, kështu që në fund fare do të jenë vetë strukturat ato që do të gjykojnë nëse mbërritja e një rezultati më të lartë apo më ulët ishte një faktor objektiv apo jo. Në fund fare ajo që na intereson është që faktori subjektiv mos të ketë ndikuar në rezultatin e dobët të PS, sigurisht nuk kemi pse të vejmë në përgjegjësi njerëzit tanë që kanë kryer punën e tyre”, vijoi ai

Pëllumbi e la të hapur edhe mundësinë e zgjedhjeve të organeve të reja në parti. “Përfundon edhe mandati një vjeçar i kryesisë, sekretariatit dhe sekretarit të përgjithshëm. Besoj që do të jetë edhe periudha që do të përkojë edhe me një mbledhje të re të Asamblesë Kombëtare, për të përcaktuar nëse do të kemi shtyrje të mandatit apo zgjedhje të reja, unë personalisht jam për zgjedhje të reja”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë