Politike

PD e LSI: Kuvendi falsifikoi letrat për BD. Patozi: Na mbështet Lefter Koka

Partia Demokratike akuzon Kuvendin se është përfshirë në falsifikim me qëllim favorizimin e partisë Bindja Demokratike, që ajo të regjistrohet në zgjedhjet e 30 qershorit. Sekretari për Çështjet Zgjedhore, Ivi Kaso publikoi një formular, sipas të cilit figuron se Andi Përmeti, një prej themeluesve të Bindjes Demokratike është deputet prej 6 muajsh.

“Sipas ligjit, që një kandidat i një partie politike të regjistrohet nga KZAZ dhe KQZ në zgjedhje, duhet të paraqesë një vërtetim që partia politike zotëron një mandat deputeti të paktën 6 muajt e fundit. Në të kundërt, duhet të mbledhë firma nga votuesit e secilës zonë, ku kandidon”, deklaroi Kaso.

PD thotë se Bindja Demokratike nuk plotëson asnjërin prej këtyre dy kushteve, nuk ka as deputet prej 6 muajsh dhe nuk ka mbledhur votat në zonat përkatëse.

“Bindja Demokratike, e krijuar në paradhomën e Edi Ramës, nuk përmbush asnjërin nga dy kushtet ligjore për të paraqitur kandidatë të ligjshëm. Ajo nuk ka as deputetë të paktën 6 muajt e fundit, as firma votuesish”, shtoi Kaso.

PD akuzon Edi Ramën se po tenton t’i vendosë një tjetër njollë të paprecedentë procesit zgjedhor në vend.

“Për herë të parë në historinë postkomuniste në Shqipëri, Edi Rama po tenton të kthejë votimet moniste, duke patur në proces vetëm me kandidatë të partisë në pushtet ose derivate te tij. Sipas informacioneve zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në më shumë se gjysmën e bashkive në vend është regjistruar vetëm kandidati i Partisë Socialiste, duke u mohuar qytetarëve, në thelb, të drejtën kushtetuese për të zgjedhur”, deklaron PD.

PD deklaroi se kallëzoi penalisht Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit. “Ka falsifikuar dokumentet zyrtare, duke lëshuar për partinë fantazëm të Edi Ramës një vërtetim, sikur përfaqësohet në Kuvend nga një deputet që ka 6 muaj që ushtron mandatin e tij. Bëhet fjalë për deputetin Andi Përmeti, i cili nuk ka mbushur as 1 muaj në marrjen e mandatit. PD informon opinionin publik se ka paraqitur kallëzim penal ndaj Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit për pasqyrimin e të dhënave të pavërteta në dokumente zyrtare”, thotë PD.

Partia Demokratike e Shqipërisë thotë gjithashtu se cdo anëtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve apo KZAZ-ve se do të mbajnë përgjegjësi penale për shpërdorim detyre për çdo shkelje të ligjit, për çdo regjistrim kandidatësh në kundërshtim me ligjin dhe me dokumente të falsifikuara.

Për dokumentin në fjalë reagoi edhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Ashtu si Ivi Kaso nga PD, Petrit Vasili i LSI e cilësoi këtë akt vazhdim të skenarit të kriminalizimit të zgjedhjeve, që i ccjer maskën qeverisë.

“Kjo qeveri, për të justifikuar farësn e zgjedhjeve ka arritur në farsën e tillë me këtë dokument, ku një kandidat për deputet, që kërkon të mbështesë një parti të dalë së fundmi nga furriku i Edi Ramës, Andi Përmeti raportohet nga Kuvendi i Shqipërisë sikur ka 6 muaj deputet. Pra, ka vetëm katër javë dhe këta e deklarojnë sikur ka 6 muaj”, tha Vasili.

Akuzave të PD-së dhe LSI-së iu përgjigj përmes rrjeteve sociale, Astrit Patozi. Patozi nxjerr një emër surprizë deputeti, që mbështet Bindjen Demokratike në regjistrimin e kandidaturave të saj në zgjedhjet e 30 qershorit. Emri në fjalë është i i Lefter Kokës.

"Sqarojmë publikun se Bindja Demokratike mbështetet jo nga një, por nga firmat e dy deputetëve për të garuar dhe kandiduar në gjithë Shqiërinë. Ata janë zotërinjtë Lefter Koka dhe Andi Përmeti, dhe për këtë ekziston e gjithë praktika e depozituar në KQZ. I ftojmë që të qetësohen ata që kanë zgjedhur të na ndjekin ne, e të mos hyjnë vetë në zgjedhje. Ata nuk do të na pengojnë dot kurrë që ne të marrim pjesë dhe të garojmë në procesin e pandalshëm të 30 qershorit”, shkruan ndër të tjera kreu i BD-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë