Lajme

PD: Donika Prela në shërbim të Avdylajve, ka shkelur ligjin antimafia

Sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike, Çlirim Gjata u shpreh se Edi Rama ia ka dorëzuar Prokurorinë e Krimeve të Rënda bandës së Avdylajve të dosjes 339.
Gjatë një deklarate për mediat, Gjata u shpreh se drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, është në shërbim të kësaj bande.
“Dosja 339 e njohur si dosja që fakton blerjen e zgjedhjeve nga Edi Rama në bashkëpunim me krimin, është njëkohësisht edhe dosja që fakton se Edi Rama i ka dorëzuar krimit të organizuar Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Dosja 339 ka zbuluar se kryeprokurorja Donika Prela është në shërbim të plotë të bandës së Avdylajve dhe se është emëruar në atë detyrë prej Edi Ramës për të shkatërruar dosjen 339”, u shpreh Gjata.
Sipas tij, kryeprokurorja Prela ka shkelur ligjin antimafia, pasi nuk ka sekuestruar pasurinë e kreut të grupit të Avdylajve.
“Edi Rama ua ka dorëzuar Avdylajve Prokurorinë e Krimeve të Rënda, sepse, grupit kriminal që bënte trafik ndërkombëtar droge, nuk i është prekur asnjë prej pronave dhe pasurive të blera me paratë e drogës. Avdylajt kanë pasuri përrallore, por shërbëtorja e bandës në Prokurorinë e krimeve të Rënda ka ndaluar sekuestrimin e pasurive të tyre, në shkelje të plotë të ligjit Antimafia”, vijon më tej Gjata.
Sipas tij, ai i njohur me nofkën Roni i Shijakut, truri i bandës, jeton në luks.

Roni i Shijakut, foto e shpërndarë nga Partia Demokratike

“I njohur me nofkën Roni i Shijakut, truri i bandës, jeton në luks, por luksi që ka burim paratë e drogës, ka mbetur i njëjtë, edhe pas arrestimit të tij. Ligji antimafia detyron Prokurorinë e Krimeve të Rënda të sekuestrojë menjëherë pasurinë e trafikantëve të drogës, në mënyrë që t’u ndërpresë atyre çdo mundësi për financimin e aktivitetit kriminal.

Por, për sa kohë në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda është shërbëtorja e Edi Ramës dhe e bandës së Avdylajve, Donika Prela, trafikantët e drogës, do të vazhdojnë t’i gëzojnë pasuritë e tyre. Sot ne, faktikisht, nuk kemi një Prokurori të Krimeve të Rënda, por kemi një celulë kriminale”, tha ndër të tjera Gjata.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë