Politike

PD dhe LSI refuzojnë, KQZ thirrje për komisionerë jo politik

Kriza politike po jep sinjale se procesi zgjedhor i 30 qershorit mund të bllokohet nga partitë e opozitës, ku Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë vendosur që të mos depozitojnë emrat e anëtarëve për 90 Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor. Një komision i nivelit të dytë, që përbëhet nga anëtarë partiakë të propozuar nga partitë e shumicës dhe të pakicës parlamentare. KZAZ përbëhen nga 7 anëtarë, 3 do të jenë përfaqësues të PS-së, 3 nga opozita (dy PD dhe 1 LSI). Anëtari i shtatë, që do të jetë kryetari, do të zgjidhet me short nëpërmjet PS-së dhe PD-së, ku KZAZ me numër çift i merr një parti politike, ndërsa ato me numër tek partia tjetër.

Data 18 mars ishte afati i fundit për dorëzimin në KQZ të kandidaturave për anëtar të KZAZ-së.
“KQZ kërkon që partitë politike të mos neglizhojnë respektimin e afateve ligjore për paraqitjen e propozimeve për administratën zgjedhore, sikundër ka ndodhur në çdo proces zgjedhor. Mos respektimi i afatit ligjor tregon mungesë përgjegjshmërie në përmbushjen e detyrimeve që ju ngarkon Kodi Zgjedhor. KQZ -ja është e vendosur të mos mirëkuptojë dhe as tolerojë vonesat në propozime, ndaj kërkon që partitë politike të depozitojnë urgjent propozimet e tyre për anëtarë të KZAZ-ve, brenda 18 marsit dhe të mos bëhen shkak për cenimin e administrimit të procesit zgjedhor. Administrata zgjedhore duhet të trajnohet dhe kualifikohet për kryerjen e detyrave. Vonesat në propozime cenojnë përgatitjen profesionale të komisionerëve, rrezikojnë mbarëvajtjen e procesit, dëmtojnë cilësinë e zgjedhjeve”, do të deklaronte zëdhënësja e KQZ, Drilona Hoxha 3 ditë më parë.

Zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj


Por pavarësisht kësaj thirrje të KQZ-së, apo apeleve të OSBE-së, PD dhe LSI nuk pranuan që të depozitonin emrat e anëtarëve të KZAZ, duke dhënë një sinjal të qartë se mund të bojkotojnë zgjedhjet lokale të 30 qershorit.
Kjo situatë e krijuar, nuk e ka detyruar KQZ-në që të qëndrojë në pritje të ndonjë ndryshimi qëndrimi të opozitës, por ka hapur aplikimin për të pranuar komisionerë të KZAZ, jo politike por teknicienë. Kështu krijimin e vakancës që mund të krijohet nga mos paraqitja e komisonerëve të PD dhe të LSI, KQZ do t’i plotësojë me emra jo politikë, duke krijuar një strukturë mikse në komisionet e nivele të dyta.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në bazë të nenit 29, pika 5, të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, Udhëzimit të KQZ-së nr. 4, datë 19.02.2013 “Për procedurat e përzgjedhjes dhe trajnimit të shtetasve që mund të emërohen kryesisht nga KQZ për plotësimin e vakancës së krijuar në KZAZ dhe KQV”, shpall kërkesën për shprehje interesi nga shtetas për t’u emëruar kryesisht nga KQZ anëtarë apo sekretarë të 90 Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) që do të ngrihen për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 30.06.2019.” thuhet një njoftimin e KQZ-së për shprehjen e interesit për anëtarë.
Në këtë thirrje KQZ ka vendosur edhe kriteret që duhet të plotësojnë anëtarët e rinj të KQZ-së.


Kriteret që duhet të plotësojnë aplikantët:

1. Të gëzojnë të drejtën për të qenë zgjedhës; 2. Të kenë arsim të lartë, për pozicionin e sekretarit të jenë jurist; 3. Të jenë me vendbanim brenda zonës zgjedhore përkatëse (Bashkisë ku do të ngrihet KZAZ-ja në të cilën shtetasi/shtetasja ka interes për t’u emëruar); 4. Të mos jenë të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi; 5. Të mos kenë marrë masë disiplinore në proceset zgjedhore të mëparshme (në rast se kanë qenë komisionerë zgjedhorë); 6. Të mos jenë deputetë ose kandidatë për deputetë në Kuvend; 7. Të mos jenë kryetarë të bashkive; 8. Të mos jenë ushtarakë, punonjës të strukturave të Policisë së Shtetit, të Shërbimit Informativ Shtetëror; 9. Të mos jenë të propozuar nga parti politike për të qenë anëtarë apo sekretarë të KZAZ-së për zgjedhjet e datës 30.06.2019; 10. Të mos kenë qenë të zgjedhur në strukturat drejtuese të ndonjë partie politike në 5 vitet e fundit.
Të gjithë të interesuarit duhet të paraqesin pranë KQZ-së dokumentacionin brenda datës 28 mars, ku kriteri që të mos kenë qenë në strukturat drejtuese të ndonjë partie politike në 5 vitet e fundit është kryesori.
Këta anëtarë jo politike, në rast se lind nevoja për plotësimin e vakancës në KZAZ, gëzojnë të drejtën e shpërblimit në përputhje me vendimin e KQZ-së për caktimin e masës së shpërblimit të komisionerëve zgjedhorë.
KQZ e nxjerr këtë njoftim edhe mbi bazën e neni7 29, pika 5 të Kodit Zgjedhor. Në këtë dispozitë pëcaktohet se partitë politike të shumicës parlamentare dhe të opozitës parlamentare, që kanë të drejtë të paraqesin kandidatura për KZAZ, nuk e ushtrojnë këtë të drejtë në afatin e përcaktuar në pikën 2 të nenit 28 të këtij Kodi, kjo e drejtë u kalon automatikisht partive që vijnë në radhë me numër vendesh në Kuvend pas të parave, brenda grupimit përkatës. Kur kjo nuk është e mundur, propozimet bëhen sipas pikës 1 shkronja “a” të këtij neni. Nëse edhe këto parti nuk propozojnë anëtarë, KQZ-ja emëron kryesisht anëtarët e KZAZ-së deri në plotësimin e numrit të nevojshëm të anëtarëve për vendimmarrje.
“Anëtarët e emëruar kryesisht qëndrojnë në detyrë deri në emërimin e anëtarëve të propozuar nga partitë politike, sipas këtij neni. Zëvendësimi duhet të kryhet jo më vonë se 30 ditë nga dita e zgjedhjeve. Në rastin e zgjedhjeve të parakohshme, zëvendësimi kryhet jo më vonë se 5 ditë nga dita e zgjedhjeve. Procedurat për përzgjedhjen dhe trajnimin e shtetasve që mund të emërohen kryesisht përcaktohen nga KQZ-ja me udhëzim të veçantë”, thuhet në këtë nen të Kodit.
Kështu KQZ po përgatitet të ketë gati listën e anëtarëve të komisionerëve jo politikë, për t’iu përgjigjur çdo situate refuzimi nga partitë e opozitës. Ndërsa një skenar, KQZ mund ta ndërmarrë edhe me anëtarët e Komisioneve të Qendrave të Votimit, edhe pse numri i tyre është me i lartë, në krahasim me KZAZ-të.

 

Më Shumë