Politike

PD: Deputeti i PS-së mori në mbrojtje trafikantin e drogës

Partia Demokratike ka reaguar ashpër ditën e sotme pas arrestimit në Igumenicë nga policia greke të Edmond Begos, i dënuar nga Italia për trafik droge. Përmes një deklarate për mediat, nënkryetari i PD-së, Edi Paloka ka thënë se qeveria mbron trafikantët, duke theksuar se Bego ka lidhje me pushtetarë. Ai ka përmendur edhe emrin e Taulant Ballës.

Duke iu referuar arrestimit të Begos, Paloka thotë se policia shqiptare mbylli sytë për anëtarin e bandës së Aldo Bares, i cili jetonte i lirë në Shqipëri dhe bënte biznes nën mbrojtjen politike të kësaj qeverie.

“Edi Rama bashkëqeveris me kriminelë e më pas i shndërron në biznesmenë për të pastruar paratë e pista. Trafikanti ndërkombëtar i drogës, anëtari i bandës së Aldo Bares, jetonte i lirë në Shqipëri, ku drejtonte edhe një biznes ndërtimi, nën mbrojtjen politike të kësaj qeverie- tha Paloka- Çfarë lidhjesh me njerëz të pushtetshëm kanë detyruar Policinë e Shtetit të mbylli sytë dhe të mos shohë një trafikant ndërkombëtar droge që shëtit i lirë nëpër Shqipëri? A është Taulant Balla politikani që e ka marrë në mbrojtje trafikantin e drogës dhe bën biznes me të?”.

Paloka deklaroi ndër të tjera se gjatë qeverisjes së Edi Ramës, Shqipëria është kthyer në parajsën e krimit të organizuar dhe strehën e sigurt të çdo trafikanti dhe krimineli të dënuar jashtë vendit.

“Falë bashkëqeverisjes së Edi Ramës me krimin, trafikantë të rrezikshëm droge, vrasës të njohur dhe të dënuar jashtë vendit jo vetëm ndihmohen që të mos vuajnë dënimin, por janë shndërruar në biznesmenë të fuqishëm, që pastrojnë paratë e pista edhe nëpërmjet liçensave dhe tenderave publike”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë