Politike

PD: Basha kërcënohet! Lleshaj e mohon. A është ky kërcënimi i dytë para zgjedhjeve?

Partia Demokratike ka botuar një letër të sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi, i cili bën të ditur se ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka thirrur në një takim truprojen e kryedemokratit, duke e vënë në dijeni për një kërcënim të mundshëm ndaj Lulzim Bashës.

Më 14 qershor, Feim Dollapaj, truproja e kryedemokratit, sipas PD-së, ka zhvilluar një takim me ministrin Lleshaj, duke e vënë në dijeni për informacionin që kishte për një kërcënim për jetën.

Kërcënimi është zbuluar nga selia e PD-së. Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Gazment Bardhi në një letër të drejtuar Lleshajt, shprehet se është në dijeni se ministri ka “informacione të besueshme, mbi rrezikun që i kanoset sigurisë që kryetarit të Opozitës zotit Basha”. Ndërsa nuk jepet ndonjë informacion konkret se nga kush po kërcënohet lideri i opozitës.

Ky shqetësim ngrihet edhe nga vetë Bardhi, i cili i kërkon nëpërmjet letrës zyrtare drejtuar më 15 qershor që të informohet menjëherë dhe zyrtarisht mbi marrjen e këtyre informacioneve, si dhe t’ja përcjellin këtë informacion Gardës dhe autoriteteve ligjzbatuese. Zyrtari i lartë i PD-së shprehet më tej se ministri duhet t’i informojë zyrtarisht, ndryshe do ta konsiderojnë manipulim për qëllime politike duke theksuar se nëse rreziku që i kanoset Bashës rezulton i pavërtetë, atëherë Lleshaj do të mbajë përgjegjësi.

“Duke pasur parasysh rrethanat kur dhe si është zhvilluar ky takim dhe shkeljen e standardeve ligjore dhe institucionale nga ana juaj në trajtimin e informacionit që pretendoni se posedoni, përforcohet dyshimi se qëllimi i vërtetë i takimit ka qenë shantazhimi i kryetarit të opozitës”, thotë Bardhi.

Letra e Gazment Bardhit drejtuar zyrtarisht ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj

Pas daljes së këtij informacioni në media, presidenti Ilir Meta ka thirrur në një takim urgjent shefin e Shërbimit Informativ Shtetëror, Helidon Bendon dhe shefin e Gardës së Republikës, Gramoz Sako, që ka për detyrë mbrojtjen e personaliteteve. Kreu i shtetit i ka kërkuar Bendos dhe Sakos informacione më të detajuara se sa qëndrojnë këto pretendime të ngritura nga ana e Ministrit të Brendshëm. Kërcënimi u bë publik pikërisht në ditën kur prokuroria kërkoi ta merrte Bashën si të pandehur për çështjen e hetimit mbi lobimet në SHBA me fonde me prejardhje ruse.

Ministri Lleshaj e mohon

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj në një reagim për median vizive A2CNN e ka mohuar se është takuar me truprojën e Bashës, njëherësh pjesëtar i Gardës së Republikës, si dhe t’i ketë dhënë informacion mbi ndonjë kërcënim jete për kryedemokratin. “Nuk ka asgjë të vërtetë, ky është një lajm i sajuar nga Partia Demokratike. Nuk kam asnjë informacion për kërcënime ndaj zotit Basha. Duhet të pyesni Partinë Demokratike për lajme që sajon Partia Demokratike. PD po tenton të prodhojë lajm, në kushte pamundësie për të prodhuar lajm sot, ka lajme të tjera sot”, thotë Lleshaj për A2 CNN.  Për ministrin, PD po mundohet të prodhojë lajme, duke iu referuar faktit se lajmi sot është ai thirrjes në prokurori dhe marrjes si të pandehur të liderit të opozitës sa i përket kontratës së dyshimtë të lobimit në SHBA të PD-së.

Kërcënimi i parë para zgjedhjeve parlamentare

Kjo nuk është hera e parë që flitet për kërcënime ndaj Bashës. Në prill të vitit 2017 në media do të qarkullonte lajmi se kreu i PD-së, Basha ishte kërcënuar me jetë. Ndaj tij kishte informacione se mund të realizohej një atentat i organizuar. Opozita e saj kohe kishte bojkotuar Parlamentin duke krijuar përpara kryeministrisë “Çadrën e Lirisë”. Përflitej se informacionet ishin për të realizuar trazira në Shqipëri, duke eliminuar liderin e opozitës, siç paralajmërohej edhe skenari për ndonjë atentat të mundshëm ndaj presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç. Menjëherë lajmi alarmoi krerët e institucioneve kryesore të shtetit. Presidenti Nishani në prill të 2017-ës do të thërriste në takim ish-kreun e SHISH, Visho Ajazi Likën, si dhe ish-Ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj për të marrë informacionet e nevojshme. Ndërsa kryedemokratit, Garda i shtoi numrin e truprojave, si dhe vetë PD-ja mori masa shtesë për ruajtjen fizike të tij. U tha asokohe se informacionet kishin mbërritur nga shërbimet inteligjente partnere.

Basha në protestën e 2017-ës te Çadra e Lirisë

Për këtë ngjarje, gazetari Blendi Fevziu në një artikull të tij, do të shkruante se për eliminimin e Bashës ishte pajtuar vrasës me pagesë. “Emrat konkretë të personave janë në informacionin zyrtar, i tha Opinion.al një burim i rezervuar. Personi më i përfolur dhe më rrezikshëm është një individ me rekorde kriminale, vrasës me pagesë, që jeton jashtë Shqipërie dhe që ka vënë edhe një herë tjetër në gatishmëri policinë shqiptare në vitit 2011 pas një informacioni se donte të godiste një tjetër politikan të rëndësishëm të asaj kohe në Tiranë. Informacioni duhet t’u jetë përcjellë strukturave të sigurisë në Shqipëri dhe sipas informacioneve tona, është zyrtarizuar edhe me letërkëmbim midis tyre”, do të shkruante Fevziu në një artikull me titull “Kush e kërcënon Lulzim Bashën?”.

Për çështjen e kërcënimit do të reagonte edhe kryeministri Edi Rama, i cili gjatë një daljeje publike për t’i bërë ftesë për dialog opozitës, u shpreh se lideri i opozitës ishte më i sigurt se kurrë dhe çështja ishte trajtuar me seriozitetin e duhur. “Nuk ka pasur asnjë skenar për ekzekutim. Ka pasur informacion që është trajtuar me seriozitetin më të madh. Ekspertriza tregon se informacioni nuk është mjaftueshmërisht i besueshëm. Janë marrë masat sikur të ishte diçka realisht e vërtetë.  Ju siguroj se kreu i PD-së është më i mbrojtur si asnjëherë dhe do të jetë tërësisht i mbrojtur deri në fund dhe  do bëhet gjithçka që shteti ka për detyrë”, deklaroi Rama.

Bujar Nishani

Presidenti i asaj kohe, Bujar Nishani tha se kishte informacione për një atentat të organizuar, duke theksuar se agjencitë e zbulimit kanë arritur të parandalojnë një ngjarje që është organizuar nga të huaj me qëllim destabilitetin e vendit. “Kjo nuk do të thotë se ne nuk kemi institucione për të parandaluar mundësinë e këtyre tentativave dhe unë mund t’ju garantoj së pari këtë. Shqipëria i ka të gjitha institucionet, të cilat i kanë kapacitetet për të parandaluar çdo tentativë të destabilitetit të brendshëm që mund të vijnë nga aktorë të jashtëm. Duhet të mos neglizhojmë dhe të mos mendojmë që nuk ekzistojnë tentativa të tilla. Fakti i sigurisë të liderit të opozitës; mund t’ju them vetëm këtë (sepse nuk mund të hyj sot në detaje sepse është çështje shumë e ndjeshme), tashmë është duke u konsideruar dhe unë besoj do të konsiderohet me seriozitet nga agjencitë kryesore ligjzbatuese në vend”, u shpreh Nishani në një intervistë televizive. Ndërsa një kërcënim tjetër pretendohej se ndaj Bashës u bë nga Emiljano Shullazi. Do të ishte ish-deputetja e PD-së, Voltana Ademi që do të pretendonte se kërcënimi me shprehjet “kujdes kur del te veranda e ballkonit” do të ishte një sinjal në adresë të Bashës nga Shullazi. Për këtë, Ademi do të bënte edhe një kallëzim penal në prokurori.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë