Politike

PD, Bardhi: Nuk do të pranojmë që Rama të instalojë diktaturën

Sekretarit i Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi në një deklaratë për median akuzoi kryeministrin Edi Rama për asgjësimin e të gjitha institucioneve kryesore dhe marrjen nën kontroll edhe organeve të reja të drejtësië. “Kryeministri ilegjitim i bandës së Avdyljave ka përqendruar çdo pushtet në dorën e tij ose duke i asgjësuar institucionet, ose duke i marrë ato nën kontroll. Edi Rama ka asgjësuar Gjykatën Kushtetuese, ka asgjësuar Gjykatën e Lartë, ka asgjësuar Prokurorin e Përgjithshëm, ka marrë nën kontroll organet e reja të drejtësisë, përdor si instrumente politikë kundër kundërshtarëve politikë Shërbimin Informativ të Shtetit dhe Policinë e Shtetit, përdor si kamikazë kundër zgjedhjeve të lira e të ndershme anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Përgjimet tronditëse, të publikuara pak ditë më parë nga gazeta gjermane BILD, provuan se Edi Rama e mori dhe e mban pushtetin vetëm me ndihmën e krimit të organizuar dhe të bandave”, deklaroi Bardhi.
Për PD-në, pakti i kryeministrit me krimin është arsyeja madhore që na ka mbyllur derën e Europës dhe po rrezikon rikthimin e vizave për shqiptarët.
“Pakti i Edi Ramës me krimin është pakt për të vjedhur Shqipërinë. Bashkë me një grusht oligarkësh, ai e ka kthyer Shqipërinë në pronë private të tij, ku pasuritë dhe buxheti i Shtetit është në dorën e pak njerëzve që kanë lidhje të ngushta me Kryeministrin e dalë nga vota e blerë nëpërmjet Avdyljave në të gjithë Shqipërinë. Është pakti i Edi Ramës me krimin dhe një grusht oligarkësh, arsyeja kryesore që ka rrënuar ekonominë, ka larguar investitorët e huaj dhe ka mbyllur me mijëra biznese të ndershme shqiptare, duke rritur papunësinë, duke penguar hapjen e vendeve të reja të punës, duke detyruar me qindra mijëra shqiptarë të largohen pa shpresë nga vendi i tyre”, theksoi numri dy i PD-së.
Për partinë më të madhe të opozitës kjo është edhe arsyeja që Shqipëria gjendet në një udhëkryq të rrezikshëm, ku demokracia dhe e drejta themelore e qytetarëve për të zgjedhur të lirë qeverisjen që duan, është drejt asgjësimit të plotë.
“Ne nuk do ta pranojmë kurrë që Edi Rama të destabilizojë Shqipërinë, të instalojë në vend një diktaturë të re të krimit dhe oligarkisë, dy instrumentet e tij kryesorë për t’u pasuruar në mënyrë të paligjshme dhe për të ruajtur më dhunë pushtetin e tij të kriminalizuar. Së bashku me elitën e shoqërisë, me qytetarët që duan ndryshimin e këtij sistemi të kalbur nga krimi dhe korrupsioni, së bashku me rininë që e do Shqipërinë si gjithë Europa, ne po krijojmë Aleancën e vlerave, Aleancën me Qytetarët për Mbrojtjen e Demokracisë dhe Rendit kushtetues”, theksoi Bardhi.
Më tej ai vijoi se me këtë lëvizje synohet realizimi i reformave të thella politike, kushtetuese dhe zgjedhore, duke krijuar dhe ndryshimin e sistemit, duke garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë