Lajme

PD, 3 pyetje Prokurorisë për mashtrimin në çështjen “Kajmaku”

Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë transparencë të plotë për çështjen e Agim Kajmakut, kryebashkiakut të ri të Vorës. PD-ka ka kërkuar nga ky institucion dokumentacionin e plotë për verifikimin e çështjes së arrestimit të Kajmakut në Greqi, ku ai mbante emrin Jorgo Toto.

Një letër e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, sjell në vëmendje mashtrimin e Prokurorisë, që pretendon se Agim Kajmaku nuk ka dorëzuar gjurmët e gishtërinjve, pasi shërbimi postar ka ngatërruar adresën. Por, sipas PD-së, përgënjeshtrimi i Postës Shqiptare vërteton mashtrimin e Prokurorisë. Sistemi i dërgesave nga bar kodi përkatës dhe prova e dorëzimit, e firmosur nga sekretaria e Bashkisë së Vorës, hedh poshtë pretendimin e Prokurorisë. PD shkruan se nuk ka asnjë dyshim që shtetasi Agim Kajmaku e ka marrë njoftimin zyrtar për dorëzimin e gjurmëve daktiloskopike më datë 29 gusht dhe sipas nenit 8 të ligjit të dekriminalizimit, duhet të kishte përmbushur detyrimin e tij deri më 3 shtator.

“Më 4 shtator thuhet se subjekti nuk e ka marrë ende shkresën. Ky duket më shumë si justifikim i paligjshëm nga ana e organit të Prokurorisë për të mos zbatuar sanksionin që parashikon ligji, nëse subjekti nuk dorëzon gjurmët daktiloskopike”, shkruhet në letrën e sekretarit Bardhi, drejtuar Prokurorisë, së cilës i kërkohet gjithë dokumentacioni për veprimet e saj dhe përgjigje me shkrim për gjithçka.

Faksimile e letrës së PD-së drejtuar Prokurorisë. gazeta Si, 7 shtator 2019

“A i keni administruar provat që përmend Shërbimi Postar në deklaratën e tij zyrtare dhe që provojnë se Agim Kajmaku e ka marrë njoftimin në datën 29 Gusht? Nëse jo, pse? Nëse po, pse nuk është aplikuar sanksioni i parashikuar në nenin 8 të ligjit?” Këto janë tri pyetjet kyçe që Partia Demokratike ka për Prokurorinë në lidhje e çështjen e Kajmakut. Sipas Bardhit, çdo shkelje e ligjit nga Prokuroria në këtë çështje do të vërtetonte se institucioni i drejtua nga Arta Marku është shndërruar “në një celulë të mbrojtjes së krimit”. “Ju, sipas urdhrit të Ramës, mund ta zvarrisni, pengoni apo manipuloni të vërtetën, por kurrsesi nuk mund të pengoni që ajo të dalë përpara qytetarëve shqiptarë”, - shkruhet më tej në letër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë