Politike

Patozi-Metës: Freno veten kur flet për Bindjen Demokratike

Pas konferencës së jashtëzakonshme për shtyp nga presidenti Meta, vjen edhe reagimi i koordinatorit të Bindjes Demokrati, Astrit Patozi.
“Meqë Presidenti i Republikës i paska lejuar vetes që të harrojë se përfaqëson unitetin e popullit dhe ka shprehur konsiderata negative në adresën tonë, na e ka bërë të detyrueshëm reagimin.
I kujtojmë atij se e ka detyrim që të dëgjojë dhe marrë për bazë vetëm atë që thonë institucionet shtetërore dhe jo opinionet e partive politike për njëra-tjetrën, ndaj duhet ta frenojë veten kur të flasë herë tjetër për BINDJEN DEMOKRATIKE. Gjithmonë, në rast se do ta ketë këtë mundësi”, shkruan Patozi në “Facebook”.
Patozi thekson se Bindja Demokratike ka përmbushur cdo detyrim ligjor për krijimin e partive politike.
“Kur themi se duhet të dëgjojë institucionet, i kujtojmë Presidentit se kemi përmbushur çdo detyrim ligjor të Republikës së Shqipërisë, që ka të bëjë me krijimin e partive politike dhe me pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje. Dhe kjo është e çertifikuar në të gjitha shkallët e gjyqësorit në Shqipëri.
Ndërsa për konsideratat e tij politike dhe jo institucionale nuk shqetësohemi fare, madje i vlerësojmë ato si një kontribut pozitiv për fushatën e BINDJES DEMOKRATIKE në këto zgjedhje”, shprehet ndër të tjera ai.
Më tej, Patozi shprehet se Bindja Demokratike nuk ka asnjë përgjegjësi për krizën politike që ka kapluar vendin.
“Bindja Demokratike nuk ka asnjë përgjegjësi për krizën politike, ku është zhytur Shqipëria për shkak të partive të vjetra, ndërkohë që vetë Presidenti i Republikës, si funksion dhe si personazh politik, është produkti më sinjifikativ i pazareve të pista midis tyre”, vijon më tej argumentimin e tij Patozi.

https://www.facebook.com/Astrit.Patozi/photos/a.921919354534635/2402944743098748/?type=3&theater

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë