Politike

Pasuria mbi 50 mijë paund sekuestrohet. Opozita e përçarë për ligjin e ri

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë miratoi nismën e qeverisë për ndryshimin e “Për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara”. Nisma është paraqitur për t’u kaluar me procedurë të përshpejtuar dhe për këtë të gjitha komisionet do ta kalojnë në një kohë rekord për votim në seancë, pasi shihet si pjesë e paketës Anti KÇK.
Zv.ministri i Brendshëm, Besfort Lamellari bëri të ditur se ky projektligj është pjesë e paketës kundër krimit dhe terrorizimit. Kështu parashikohet që Agjencia e Sekuestrimit të Pasurive të kalojë në varësi të Ministrisë së Brendshme dhe të jetë pikërisht Komiteti i posaçëm që drejtohet nga ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj që të vendos për sekuestron e pasurive, përpara se të jepet një vendim përfundimtar i gjykatës.
“Agjencia merr rol të shtuar duke u listuar si palë. Ka të drejtë ti drejtohet me kërkesë për të tjetërsuar dhe asgjësuar pasuri. Po ashtu i drejtohet gjykatës për tjetërsimin e provave. Kanalizohet shitja e pasurive të paluajtshme. Do ngrihet brenda saj Komiteti ndërinstitucional që është vendimmarrës për këto pasuri. Fuqizohet roli i komitetit ku nga karakteri këshillimor tani ka rol vendimmarrës për administrimin dhe përdorimin e këtyre pasurive" tha Lamallari.
Zv.ministri i Brendshëm theksoi gjithashtu shumën e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme që që sekuestrohet në rast se është e pajustifikuar.

Zv.Ministri Lamallari në komisionin parlamentar. Gazeta "Si" 14 shkurt 2020

“Pasuri në 50 mijë paund sekuestrohen, personi mund ta ankimojë. Në asnjë moment konfiskimi nuk do të bëhet pas një vendim gjykate, pasi i hiqet në mënyrë përfundimtare pasuri. Nëse gjykata vendos pro individit ne ja kthejmë. Pasuria ruhet dhe mirë administrohet. Shumë mjete të sekuestruara rreth 20 vite më parë kanë mbetur stok dhe duke bllokuar ambientet e gjykatave dhe janë bërë jofunksionale, tashmë edhe këto prova do të administrohen nga kjo agjenci”, tha zv.ministri. Deputeti i PS-së, Ervin Bushati është shprehur se goditja e pasurisë së krimit është shumë e nevojshme. Ai ka shtuar se krimi i Organizuar qarkullon 1.5 miliard dollar në vit dhe kjo sipas tij ndikon shumë në ekonomi, ndërsa propozoi që këto pasuri të shkojnë për dëmtuarit nga tërmeti i 26 nëntorit.

Deputeti i PS, Ervin Bushati. Gazeta "Si" 14 shkurt 2020


"Krimi i organizuar nuk është pasion. Kriminelët e bëjnë për fitime financiare. Duke i marrë pronën patjetër që e ndalon krimin. Sekuestrimi i pronave duhet të shikohet si shpërndarje. Shoqërisë duhet t'i rikthehen këto prona. Krimi i organizuar në Shqipëri mund të shkoje në 1.5 miliard dollar në vit aktivitet. Krimi administron prona dhe aktivitete të shumta. Nuk ka kthim prapa në këtë pjesë. Këtu flasim për përmasa shumë të mëdha. Janë më shumë se dëmet e tërmetit. Ca të keqeje kishte që këto prona të futeshin personat që nuk kanë shpi. Nuk duhet parë si shpronësim, por shpërndarje me ligj e pronave. Duhen goditur se kriminalizojnë vendin, ka vrasje dhe vepra penale. Duhen ndjekur edhe ata që janë në burgje nëpër Evropë dhe kanë prona në Shqipëri. Patjetër që duhen t'i shpërndahen" tha Bushati.
Por opozita në këtë nismë ka qenë e përçarë. Deputeti i Ballit Kombëtar, Artur Roshi ka qenë kundër këtij ligji, duke theksuar se duhet parë më kujdes mënyra se si janë formuluar nenet. Nuk mund të prezumohet pafajësia dhe të mos pritet vendimi i Gjykatës, pretendoi deputeti Roshi. “Nuk jam dakord për shembull ta vendosi Komiteti Ndërministrot me urdhër administrativ në një kohë që duhet të vendosë gjykata. Agjencia duhet të tëhiqet dhe të bëjë një autokontroll në kompetencat e veta. Sekuestrohet apo jo, këtë e vendos gjykata, nuk kemi pse e vendosni me sekuestro administrative”, theksoi Roshi.

Deputeti, Artur Roshi, duke folur gjate nje seance parlamentare


Por në këtë mbledhje, deputetja e opozitës, Edlira Hyseni ka mbajtur një qëndrim pro nismës së qeverisë. Roshi ishte i vetmi nga opozita që votoi kundër projektligjit, i cili pritet të kalojë edhe në komisionet e Sigurisë dhe të Ligjeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë