Para

Pastrimi i parave, bizneset e shoqatat detyrohen të hapin llogari biznesi

Të gjithë tatimpaguesit; persona fizikë/juridikë, përfshirë edhe organizatat jofitimprurëse që ushtrojnë aktivitetin në Republikën e Shqipërisë do të detyrohen me ligj për të pasur llogari bankare biznesi.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka përgatitur një projektligj, i cili mban emrin dhe firmën e ministres së re Anila Denaj për adresimin e një prej rekomandimeve të Komitetit të Ekspertëve për vlerësimin e masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (moneyval), të Këshillit të Europës, lidhur me përdorimin e parasë fizike dhe reduktimin e ekonomisë informale.

Projektligji i ri vjen si ndryshim i bërë ligjit “Për procedurat Tatimore në Republiën e Shqipërisë” të ndryshuar.

Në relacionin shpjegues të projektligjit që i është drejtuar miistrive të linjës për konsultim, citohet se projektligji, parashikon detyrimin e tatimpaguesëve persona fizik tregtar, të regjistruar për tatimin mbi vlerën e shtuar (tvsh), për të disponuar llogari bankare të biznesit. Ndërkohë që për personat juridikë, ky detyrim shtrihet për të gjithë tatimpaguesit, përfshirë organizatat jofitimprurëse, pamvarësisht qarkullimit që realizojnë.

Projektligji parashikon gjithashtu, që mos të jenë subjekte të detyrimit të pasjes një llogarie bankare biznesi, tatimpaguesit, persona fizikë tregtarë të cilët realizojnë qarkullim vjetor, rrjedhimisht edhe qarkullim të parasë fizike, në vlera të ulta. Për këtë arsye,-citohet në dokumentin zyrtar të Miistrisë së Ekonomisë dhe Financave, është marrë për referencë, kufiri i regjistrimit për përgjegjësinë tatimore:tatimi mbi vlerën e shtuar. Sipas ligjit 92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar, neni 117 dhe VKM nr. 953/2014 “Për dispozitat zbatuese të ligjit 92/2014 Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”, neni 11, nuk janë subjekt i detyrimit per tu regjistruar për TVSH-në, tatimpaguesit të cilët realizojnë një qarkullm vjetor (përveç atyre që ushtrojnë veprimtari sipas profesioneve të përcaktuara në pikën 2, të nenit 11), më të vogël se 2 milion lekë.

Gjithashtu, parashikohet vendosja e një afati të përcaktuar për përmbushjen e këtij detyrimi si dhe dënimi në rast të mospërmbushjes së tij nga ana e tatimpaguesit.
Tatimpaguesit me status “person fizik tregtar”, të regjistruar për tatimin mbi vlerën e shtuar, me qarkullim deri në 8 milion lekë në rast të mos zbatimit të ligjit gjobiten në masën 50 000 lekë.

Tatimpaguesit me status “person juridik” pavarësisht nga qarkullimi, si dhe tatimpaguesit me status “person fizik tregtar” me qarkullim mbi 8 milion lekë, në rast kundravajtje të ligjit gjobiten në masën 100 000 lekë.

Kurse organizatat jofitimprurëse, gjobiten në masën 75 000 lekë në rast të moszbatimit të ligjit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë