Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar 21 vite burg për Astrit Beqirin dhe Dhimitër Shkodrani.
Më konkretisht SPAK ka kërkuar 11 vite burg për Beqirin dhe 10 vite për Shkodranin.
Ata akuzohen nga Prokuroria e Posaçme, për pastrim parash dhe grup kriminal. Atyre do t’u ulet 1/3 e dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Beqiri dhe Shkodrani janë pjesë të një grupi kriminal, i cili ka trafikuar mbi 1650 kg kokainë drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Si funksiononte grupi?
Grupi i strukturuar kriminal, sipas një skeme të mirëpërcaktuar, paratë e ardhura nga krimi i trafikimit të narkotikëve, i dërgonte “cash” nga Kopenhagen, Danimarkë, në Tetovë – Maqedoni e Veriut. Dërgimi nga Kopenhagen në Maqedoni të Veriut bëhej duke i transportuar paratë me anë të autobusëve (e regjistruar në Tetovë), një nga ortakët e të cilës ishte B. Ali, i arrestuar në Danimarkë. Në Tetovë paratë merreshin kryesisht nga anëtari tjetër i grupit të strukturuar kriminal, Dhimitër Shkodrani, i cili kalonte kufirin në pikat e kalimit kufitar me Maqedoninë e Veriut dhe më tej këto para dërgoheshin tek Astrit Beqiri, si dhe të afërm të tjerë të grupit kriminal. Transferimi i parave sipas kësaj skeme bëhej rreth 2 herë në muaj.
Astrit Beqiri është kunati i drejtuesit të grupit të strukturuar kriminal Jetmir Kastrati (i njohur në Danimarkë si Sokol Krasnici), i arrestuar në Danimarkë. Hetimi i mëtejshëm provoi se Astrit Beqiri paratë e ardhura nga krimi kishte mundur t'i pastronte duke i investuar në biznes, siç ishte pularia “RENS 2015”, pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, të sekuestruara. Hetimet dhe arrestimi tyre ishte si pjesë e operacionit të gjerë të zhvilluar në 26 qershor 2019, ku mori pjesë dhe Europol dhe u zhvillua në disa vende të Europës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.