Libra

Pasolini për herë të parë në shqip, u drejtohet të rinjve 

Kanë kaluar më shumë se dyzet vjet nga vdekja e tij dhe vetëm tani, Pier Paolo Pasolini i vjen lexuesit shqiptar me një vëllim të plotë, titulluar “Mish dhe qiell”. Dy përkthyes janë bërë bashkë në këtë përmbledhje, kushtuar kryesisht të rinjve. “Një pjesë e mirë e poezive të përkthyera, si nga ana ime ashtu dhe e Aida Baros, kanë qenë prej kohësh, si të thuash, në “sënduk””, rrëfen Edon Qesari, ndërsa zbulon se me përkthyen Aida Baro, u njoh rastësisht, në një mbrëmje poetike të organizuar në Tiranë, që i kushtohej pikërisht poezisë pazoliniane. Ishte viti 2014 kujton përkthyesi dhe bashkëpunimi me Baron nisi fillimisht në nivel virtual. “Por, një vit më vonë, u gjendëm sërish bashkë në përkujtimin që Tirana Film Festival (TIFF) i bëri figurës intelektuale dhe poliedrike të Pier Paolo Pasolini-t në 40-vjetorin e vdekjes (si pasojë e vrasjes makabre dhe ende zyrtarisht të pazgjidhur) të tij”.

Ky vëllim është përkthim i drejtpërdrejtë i një përmbledhjeje të posaçme të përgatitur në Itali, pikërisht me rastin e 40-vjetorit të ndarjes nga jeta të  një prej  intelektualëve dhe artistëve  italianë më të mëdhenj,  të shekullit XX.Në të janë përfshirë vargje që mbulojnë hapësirën kohore të gjithë krijimtarisë pazoliniane në lëmin e poezisë: që nga lëvrimet rinore, kur Pasolini njëzetvjeçar shkruante në gjuhën friuliane (e folura e krahinës veri-lindore të Friulit, trevë prej nga vinte e ëma e poetit, atje ku ai ushtron për herë të parë, fill pas diplomimit në Universitetin e Bolonjës, zanatin e mësuesit të një shkolle fillore të humbur mes maleve) e deri në krijimet më të vona, kur figura e tij, prej polemisti të shquar, prozatori të suksesshëm dhe kineasti botërisht të njohur, tashmë është plotësisht e afirmuar në skenën intelektuale të Italisë, e më gjerë europiane, të viteve 1960-1970.

Permmbledhja poetike "Mish dhe Qiell", Botime "Pegi", 2019

“Ka qenë një ndërmarrje jo e lehtë nga ana jonë, aq më tepër që prurja e Pasolinit në shqip lyp njëkohësisht prurjen e kohës së tij, rrethanave politike dhe sociale që e mbrujtën, dinamikave ekonomike dhe kulturore që e përshkuan, në vëmendjen e një lexuesi si ai shqiptar, që vetëm në dukje qëndron dekada larg një botëkuptimi të tillë”, thotë Qesari. Pier Paolo Pasolini ishte vëzhgues i hollë i ndryshimeve që pësoi shoqëria italiane pas luftës së dytë botërore deri në mes të viteve ‘70, si dhe një figurë kontroverse, që nxiti polemika dhe debate të pareshtura për shkak të radikalizmit që shfaqi në gjykimet e veta; një kritik i paepur kundër zakoneve borgjeze dhe shoqërisë së konsumit që sapo kishte nisur të lulëzonte në Italinë e viteve ‘60 – ‘70.

“Në to janë pleksur shumë tematika, që nga angazhimi thellësisht politik i vargëzimit pazolinian – mos harrojmë se kemi të bëjmë me një intelektual marksist, në pozita kundërshtuese shpesh të ashpra dhe me vetë Partinë Komuniste italiane, subjektin politik më të madh të llojit të vet në krejt botën perëndimore përgjatë Luftës së Ftohtë – dhe deri tek poezitë më intime, në të cilat dalin në pah momente të shkëlqyera autobiografie, ku një dialog i vazhdueshëm me vetveten mbi homoseksualizmin e tij të deklaruar, marrëdhënien e ngarkuar me të afërm dhe miq, si dhe një përsiatje dramatike rreth vdekjes (gati më tone profetike, veçse autobiografike) janë gjithnjë të pranishme”, zbulon më shumë rreth librit përkthyesi.

Pier Paolo Pasolini, Romë, 1967

Një përzgjedhje domethënëse që të fton drejt botës së poetit e që, vë në pah madhështinë e tij shprehëse dhe forcën e imagjinatës së tij. Tema bashkuese është dashuria e thellë, që është edhe matësi për të mbërritur tek të rinjtë. Përkthyesit, por edhe shtëpia botuese “Pegi”, me  anë të kësaj përmbledhjeje kërkojnë t’u japin të rinjve shqiptarë shembullin e intelektualit të angazhuar, të një personazhi të parehatshëm për pushtetet, që ngriti zërin pareshtur kundër kapitalizmit dhe parashikoi rrënimin e shoqërisë së konsumit. Poezi për t’u lexuar, recituar, mbajtur shënim, për t’u përdorur, dhuruar: për të gjithë të rinjtë që, falë një libri, ia dalin të shprehin ndjenjat e tyre më të thella e komplekse. Libri është i pajisur me një indeks të përgjithshëm të veprave të Pasolini-t, në letërsi,kinematografi, teatër.

Në introduktën e  vëllimit “Mish dhe qiell”, titulluar “PPP: Politika, Pelikula, Poezia”, poeti italian Valerio Magrelli thotë se Pasolini është shndërruar në profet, martir, vizionar, politikan e besimtar. Autori i “Djem jete”, regjisori i “Ungjillit sipas Mateut”, zëri antikonformist i  “Shkrime korsare”. Intelektual, mbase i fundit artist ‘rilindës’: poet, shkrimtar, regjisor, skenarist, editorialist dhe dramaturg, por edhe një burrë i sjellshëm dhe i butë që mbijeton në kujtimin e të shumtëve, për padjallëzinë e tij. E shkroi të parën poezi në moshën 7 vjeçare dhe nuk reshti më, as gjatë Luftës së Dytë Botërore, as në vitet e para të vështira në Romë, as më pas, kur kinemaja dhe letërsia i sollën famë. Dëshmitar i transformimeve të mëdha në Italianë bashkëkohëse, ka qenë një prej figurave më të dashura dhe të debatuara  të gjysmës së dytë të 1900-ës , një mit i vërtetë, si në Itali ashtu edhe jashtë saj.

Mish dhe qiell
O dashuri amënore,
sfilitëse, me arturinat
e trupave të pushtuar
nga e fshehta e barqeve.
Dhe sjellje të ëmbla
të pandërgjegjshme për aromën
e paturp që qesh
në gjymtyrët e dëlira.
Përshkënditje të rënda
flokësh… shpërfillje
mizore vështrimesh…
përkujdesje të pabesa…
I flashkur nga vaje
fort të ëmbla kthehem te ti
me mishrat përvëlim
buzëqeshjesh shkëlqimtare.
E çmendem në zemër
të natës festive
pas mijëra netësh të tjera
për këtë zjarr palavi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë