Mjedis

Pasojat që nuk i shohim me sy të lirë nga djegia e plehrave në Fier

Djegia e plehrave në fshatin Sheq në Fier ka vijuar prej ditësh duke shkaktuar një katastrofë mjedisore ndër të tjera.

Eksperti i mjedisit, Rodion Gjoka thotë për Gazetasi.al se djegia e pakontrolluar e mbetjeve, për më tepër në një vend-grumbullim tërësisht jo sanitar e të hapur, ku dërgohen mesatarisht çdo ditë 150 ton mbetje nga më të ndryshmet, mund të gjenerojë një përzierje tepër të rrezikshme shkarkimesh në formë gazrash në ajër.

“Autoritetet kombëtare dhe lokale në Fier, jo më vonë se datat 27-28 Korrik duhet të kishin shpallur gjendjen e emergjencës dhe të merrte masa të rrepta për evakuim të përkohshëm e të gjithë grupeve të riskut nga zona ekspozimit”, thotë Gjoka.

Rodion Gjoka, ekspert mjedisi

Ai shton se nga djegia e mbetjeve çlirohen në ajër:

- Dioksina

- Furane

- Polikarbonate

- Okside të Squfurit

- Okside të Azotit

Këto janë komponente kimik të cilët njihen në shkencë si “më të rrezikshmit ndaj gjallesave dhe organizmave biotik”.

“Ngarkesa toksike që qytetarët edhe banorët kanë marrë në atë zonë gjatë këtyre ditëve mund të dal nga analiza të detajuara të gjakut, analiza te mostrave të tokës duke nisur nga sot”, thotë Gjoka.

Ai shton se ndërkohë, gjurma ndotëse që po përhapet nëpërmjet mjegulles dhe kushteve klimatike do të kontaminojë tokën dhe ujrat në zonë për t’u futur më tej në zinxhirin ushqimor nëpërmjet të mbjellave që do të prodhohen në atë zonë në të ardhmen.

Këto janë fakte nga studime të kryera në shtete si Italia, Suedia, Amerika e Veriut ku në vitet ‘80-‘90 aksidentet apo mos-përdorimi adekuat i filtrave në incerneratoret e mbjetjeve shkaktoi probleme të rënda në mjedis dhe shëndetin publik.

Gjoka shpjegon se koha që duhet që natyra përreth Fierit të rikthehet në gjendje normale apo ndotja në ajër gjatë këtyre ditëve të zhbëhet është relative dhe çdo gjë do të varet nga puna dhe përkushtimi i institucioneve për ta gjurmuar dhe për ta rehabilituar atë.

A kanë pasoja të parikuperueshme çlirimi i këtyre ndotësve nga djegia e mbetjeve?

“Mund të them se tipet TCDD tetrakloro-dibenzo-dioksines janë jashtëzakonisht toksik dhe me veprim të menjëhershëm në enzimat kancerogjene të organizmave”, thotë Gjoka.

Ai shprehet se ai bashkë me grupin e tij të punës kanë disa ditë që po bëjnë matje në terren dhe është zbuluar se grimcat PM (grimcat e ngurta) janë në nivele të paktën 17 herë mbi standartin e lejuar dhe kjo vetëm 4km larg vendepozitimit të Sheqit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë